Juventusit, kampion në fuqi të Italisë, i takon të ngrejë siparin e sezonit të ri të Serisë A, që merr udhë këtë fundjavë. Bardhezinjtë në premierën e kampionatit do të luajnë në orën 18:00 përballë Parmës në transfertë, me synim dominimin e futbollit italian për të 9-tin sezon radhazi.
Në fakt, pakkush mendon se “Zonjën e Vjetër” do ta zbresë kush nga froni, nëse merr në analizë zhvillimet në merkato dhe organikën e secilës skuadër.
Sa i përket formacionit titullar bardhezi që do të zbresë në fushën e “Tardinit”, bie në sy lënia në stol e Matthijs de Ligt, me stafin teknik të Juves që ka preferuar dyshen me shumë eksperiencë Bonucci-Chiellini në qendër të mbrojtjes. Për majën e sulmit ka një balotazh mes Gonzalo Higuainit dhe Paulo Dybalas, dy personazhe të shumëpërfolura për një largim të mundshëm nga “Zonja e Vjetër”, por që kanë këmbëngulur për të qëndruar në Torino. Nuk është grumbulluar për këtë sfidë Rugani, ndërsa Ramsey është i padisponueshëm.
Sfida e dytë e kësaj të shtune në Serinë A është ajo e “Artemio Franchit” mes Fiorentinës dhe Napolit, që do të zhvillohet në orën 20:45. Një përballje e një shkalle të lartë vështirësie që në start për skuadrën e Ancelottit, që edhe në këtë sezon do të tentojë të jetë formacioni anti-Juve.
Pak ndryshime në formacionin e Ancelottit, krahasuar me sezonin e kaluar. Prurja e re e merkatos së verës, Di Lorenzo, është projektuar titullar nga trajneri italian, ndërsa Elseid Hysaj, i cili është kthyer në “telenovelë” në këtë merkato vere, do të jetë në stol.
Në Firenze ka shumë entuziazëm për nënshkrimin me francezin me shumë eksperiencë, Franck Ribery, por vështirë së 36-vjeçari, që ka pak ditë që është prezantuar, të jetë qoftë në stolin e rezervave.
Top Channel