Pas akuzave të Partisë Demokratike se ka qenë i dënuar më parë në Greqi, Agim Kajmaku, kryebashkiak i Vorës, në një reagim për Top Channel hedh poshtë këto pretendime.

“Sapo jam njohur me një tekst letre të publikuar nga PD, ku pretendohet se unë jam dënuar dhe dëbuar nga shteti grek. Me përgjegjësi ligjore dhe bindje morale deklaroj se nuk jam dënuar dhe as jam dëbuar asnjëherë nga ndonjë shtet i BE, as nga Greqia. Ndërkohë që për vite të tëra kam qenë udhëtues i shpeshtë dhe korrekt në shumë vende të BE, për llogari të biznesit tim familjar. Autorët dhe akuzuesit publikë që shpifin ndaj personit tim, për një qëllim të vetëm, ate të ndotjes politike të kundërshtarit, do të vihen përballë drejtësisë dhe detyrimit të gjetjes se provave të pretenduara. Por ju drejtohem se të paqenën nuk mund ta pretendosh si të ndodhur”, thotë Kajmaku.

Në një reagim më të gjatë në rrjetet sociale, Agim Kajmaku pranoi se kishte ndryshuar emrin, por këtë veprim e kishte bërë për të marrë vizë në Greqi dhe jo se kishte qenë i dënuar.

Kryebashkiaku ka publikuar edhe disa dokumente që, sipas tij, konfirmojnë se nuk është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

Reagimi

Përshëndetje,

Unë ashtu si dhe shumë e shumë shqiptarë që kanë emigruar në Greqi në vitet `90, më është dashur të ndryshoj emrin dhe mbiemrin për tu pajisur me dokumenta qëndrimi. Sepse fatkeqsisht ky ka qenë niveli i mbrojtjes për emigrantët nga shteti Shqiptar në ato kohë kur Sali Presidenti i futi dy gishtat në sy këtij vendi.

Këtë gjë nuk e kam bërë në shkelje të ligjit, por me Vendim të Këshillit të Komunës Prezë, Nr 06/1, Datë 06.02.1996, “Ndryshim emri dhe mbiemri nga Agim Kajmaku në Jorgo Toto”. Përmes këtij ndryshimi, munda që të siguroj një vizë nga Ambasada Greke për vete dhe familjen.

Prej vitit 1996, bashkë me bashkëshorten time Rita, hapëm një biznes tregëti Lulesh Natyrale. E kam drejtuar vetë atë biznes deri në korrik të vitit 2019 kur u zgjodha Kryetar i Bashkisë Vorë. Biznesin e nisëm me furnizim nga shteti Grek dhe kemi punuar për rreth 8 vjet, deri në vitin 2004 me Greqinë.

Ndërkohë me vendim të Këshillit të Komunës Prezë, Nr 19, Datë 30.03.2004, kam “Ndryshim emri dhe mbiemri nga Jorgo Toto në Agim Kajmaku”. Kjo për shkak se jo vetëm mundësitë e biznesit ishin zgjeruar në vende të tjera të Evropës, por lindi nevoja të administroja pronat e familjes time.

Pavarësisht ndryshimit të emrit për arsye dokumentare, unë Agim Kajmaku gjithmonë kam mbajtur të njejtin emër të babait, nënës dhe të ditës time të lindjes edhe me emrin Jorgo Toto. Prandaj është shumë kollaj e verifikueshme a kam qëne i dënuar apo jo.

E dija që kur i hyra kësaj rruge për të drejtuar Bashkinë e Vorës, se Sali Baba me dyzet qentë e tij do të sulmonin për me kafshu! Prandaj kalova kufirin para se të dorëzoja kandidaturën time, që t’i kisha këto foto me të cilat përshëndes Sali Babën dhe dyzet qentë e vet dixhital.

Konkretisht më poshtë janë:

  1. Certifikata Personale me shënimin përkatës për ndryshimet e ligjshme të emrit;
    2. Dëshmi e Penalitet lëshuar nga Ministria e Drejtësisë në Shtetin Grek ku bazuar në Regjistrin Kombëtar Penal, personi Jorgo (Agim) Toto (Kajmaku) rezulton I PADENUAR;
    3. Formulari i Vetë Deklarimit në zbatim të ligjit Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ku parashtrohen gjeneralitetet e mëparshme.
    4. Foto e Vulave të Pikave të Kalimit Kufitar në Maj 2019.

Po, kam ndryshuar emrin!
Po, kam zbatuar ligjin dhe e kam deklaruar kudo e kurdo!
Jo! Nuk kam qenë asnjëherë i dënuar

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA