“Arti i fjalës” dhe arti i “mungesës së fjalëve”
Për veprën e Akademikut Vasil S. Tole, “Kadare dhe Muzika”.
Nga Prof. Dr. Klara Klara Kodra
Studimi i Vasil S.Toles është një hap i vendosur drejt zbulimit të një anë të re për një vepër të gjerë dhe të fuqishme letrare por njëkohësisht ai shërben edhe për mundësitë e “artit të pa fjalë”, sic është muzika e që ndërvepron parreshtur me “artin e fjalës”.
Studiuesi V. Tole në këtë punim të tijin arrin në përfundimin se muzika popullore shqiptare në llojet e saj të ndryshme është një element gjenerues dhe përbërës i brendshëm i artit të Kadaresë. Ky zbulim i tij, mundëson të parit e këtij arti në një optikë të re përtej mundësive që jep shkenca letrare, po të kufizohet thjesht me mjetet e veta. Ideja e vënë në bazë të kësaj monografie është e guximshme dhe origjinale, po s’bëhet fjalë për një origjinalitet të kërkuar, po për një origjinalitet që ka rrënjët e veta objektive në terrenin e realitetit.
Shekulli i nëntëmbëdhjetë ka qenë një shekull specializimi i disiplinave shkencore në të cilin morën tipare të qarta të tilla lloje të shkencës letrare si historia e letërsisë dhe teoria e letërsisë, krahas shumë llojeve të shkencave të tjera, shekulli i njëzetenjëtë, është një shekull afrimi të shkencave që lind përherë e më tepër studimet ndërdisiplinore. Ëndrra e romantikëve ishte shkrirja e arteve, studiuesit e sotëm zbulojnë gjithnjë e më tepër pikat që i afrojnë ato. Para se t’i vihet këtij studimi të gjerë monografik autori e ka analizuar dukurinë që merr në shqyrtim në mënyrë të pjesshme te autorë të tjerë shqiptarë si Konica dhe Migjeni.
Monografia është strukturuar në dymbëdhjetë kapituj ku vihen re kalime nga analiza te sinteza dhe, në të kundërtën, nga sinteza te analiza. Ndofta ky numër nuk është zgjedhur rastësisht nga studiuesi meqenëse është një numër tradicionalisht domethënës në poezinë tonë popullore. Autori flet për një formim të shkrimtarit, për një brumosje të tij që në fëmijëri nga këngët dhe vallet tradicionale të krahinës së tij. Në monografi hidhet mendimi kuptimplotë se pasqyrimi i traditës muzikore te Kadareja është element i qëndresës, pra, mbrojtjes së identitetit shqiptar që, siç dihet, përbën një nga temat qendrore në krijimtarinë e Kadaresë, më aktuale se kurrë.
Pra, ndikimi i muzikës në krijimtarinë e Kadaresë shihet si shenjë e frymës shqiptare të kësaj krijimtarie. Ky punim ndërdisiplinor ka rëndësi sa i përket shkencave tona albanologjike, jo vetëm me arritjet e veta, që janë të ndjeshme, po edhe si udhërrëfyes për punime të tjera, qoftë kadarejane, qoftë në përgjithësi historiko-letrare dhe kritike që ndriçojnë autorë të tjerë.
Top Channel