Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se një milion të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre pasi tajfuni Lekima goditi Kinën.

Po ashtu, 16 vetë rezultojnë të zhdukur pas një rrëshqitjeje dheu të shkaktuar nga stuhia.  Lekima preku tokën në orët e para të së shtunës në Uenling, mes Tajvanit dhe kryeqendrës financiare të Kinës, Shangai.

Stuhia fillimisht ishte klasifikuar si një super tajfun, por u dobësua ndjeshëm para se të prekte tokën, pavarësisht se ka sërish erëra që kapin shpejtësinë e 187 km në orë. Rrëshqitja fatale e tokës ndodhi kur një digë u ca në Uengzhou, afër vendit ku stuhia preku tokën. Lekima tani vazhdon rrugën përmes provincës Zhejiang dhe pritet të godasë Shangain që ka një popullatë prej më shumë se 20 milionë banorësh. Ekipet e emergjencave kanë punuar për të shpëtuar njerëzit e bllokuar në përmbytje. Pemët e shkulura me rrënjë apo ndërprerjet e energjisë elektrike janë të shumta.

Autoritetet kanë anuluar më shumë se 1 mijë fluturime dhe kanë anuluar shërbimet hekurudhore në Shangai, ku sidoqoftë stuhia pritet të mbërrijë më e dobësuar.  Lekima është tajfuni i nëntë i vitit por është edhe stuhia më e fuqishme që është parë në vite të tëra. Fillimisht, Kina ishte në nivelin më të lartë të gadishmërisë, atë të kuq, por më vonë u ul një shkallë në klasifikim duke kaluar në nivel portokalli.

Lekima është një nga dy tajfunët në Paqësorin Perëndimor për momentin. Më në lindje, tajfuni Krosa po derdh reshje të mëdha shiu në ishujt e Marianës Veriore dhe Guamit. Ai po zhvendoset në veri-perëndim dhe mund të godasë Japoninë, javën e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA