Fill pas edicionit të parë dhe të suksesshëm të reality show-t “Hells Kitchen Albania”, formati i njohur amerikan rindez këtë fillim gushti akoma më shumë kureshtjen e publikut, pas hapjes së aplikimeve të reja për sezonin e ardhshëm.

Qindra aplikantë jo vetëm nga Shqipëria, por gjithë bota kanë regjistruar një numër rekord aplikimesh.

Duket se vëmendja e rritur e aplikuesve, ka lidhje edhe me faktin se sivjet për herë të parë produksioni i Top Channel ka arritur të ndërtojë një strukturë moderne dhe gjigante për realizimin e këtij reality show: një shtëpi prej 1 mijë metrash katrorë, në të cilën përfshihet jo vetëm kuzhina më e famshme në Shqipëri, por edhe ambiente të tjera, si fjetina dhe anekset argëtuese për konkurrentët, në mënyrë që ata të arrijnë të nxjerrin më shumë në pah shpirtin e garës dhe më të mirën e mundshme.

Stafi i Kuzhinës së Djallit vijon të ketë vëmendjen maksimale ndaj aplikimeve të cilat do të vijojnë ende përmes faqes së internetit www.top-channel.tv si dhe rrjetet sociale. Ndërkohë që lajmëron edhe ditët e audicioneve.

Ndërsa Shef Renaton e kemi parë derimëtani në rolin e drakulës në spotin paralajmërues, ai shton edhe dicka tjetër.

Top Channel