Vitrina e Librit/ Në fortesën e Tivarit, stematografia si shenjim ientiteti

05/08/2019 10:54

MONIKA STAFA

Fortesa e Tivarit gjendet në pjesën e vjetër të qytetit, që njihet sllavisht me emrin “Stari-grad“. Atje, në lagjen e vjetër, edhe sot ka një popullsi të përhershme banuese shqipfolëse, që duket sikur pak nga pak po e humb gjuhën amtare, për shkak të komunikimit me turistët, të cilëve shqipja nuk u hyn në punë. Stari-grad vizitohet me një biletë me çmim modest, kryesisht nga turistë të huaj.

Brenda kalasë ka disa kisha, njëra prej të cilave, më e vjetra, pas zbulimit të një mozaiku ikonografik mural këtë vit, është identifikuar si kisha e Shën Antonit. Po ashtu ka mullinj bluarjeje dhe mullinj të vajit të ullirit, furra të pjekjes së bukës, burgje të periudhës paraosmane dhe osmane, një kullë sahati dhe një muze. Dikur kjo fortesë ka funksionuar si qytet-kështjellë.

Në hershmëri Tivari ka qenë qendër ipeshkvnore dhe në disa periudha edhe qendër arkipeshkvie. Në kolanën “Hierarchia catholica“, ku Biblioteka Apostolike e Vatikanit ka botuar burimet më të rëndësishme të krishtërimit prej fillimeve deri në vitin 1926, njësia kishtare e Tivarit njihet me emrin zyrtar latinisht “Antibarensis“ (prej nga del dhe forma “Bar“ në gjuhët sllave). Në dy periudha historike klerikët e Tivarit luajtën një rol historik të jashtëzakonshëm për shqiptarët: në fund të luftës austro-osmane (1689), kur arkipeshkvi Vinko Zmajević (Vincenc Zmajević) mundësoi strehimin e disa fiseve klementine në Zarë të Arbëreshëve dhe më pas edhe në Srem të Kroacisë; si dhe në kohën e marrjes së vendimeve të traktatit të Shën Stefanit (1878), kur arkipeshkvi tjetër, Karl Poeten, që ishte dhe kunat i perandorit austro-hungarez, njësoj si ish-mbreti meksikan, në emër të doktrinës “cultus protectorati“, u ofroi mbrojtje sa mundi shqiptarëve të malësive të Veriut.

Tivari, ashtu si dhe Kotorri, Ulqini, Shkodra, Drishti, Danja dhe Durrësi, në periudhën mesjetare kishin statute të së drejtës urbane, me të cilat rregullonin jetën e brendshme. Këto qytete nuk drejtoheshin me kanun, por me kushtetuta. Në statute përcaktohej gjithçka: prej rolit të proveditorëve, prokurorëve, klerikëve, vizitatorëve apostolikë, gjyqtarëve, noterëve, esnafëve dhe shoqërive të ndryshme të artizanatit, deri tek pozita e të huajve, tregtarëve, lundërtarëve, peshkatarëve. Në regestin e Kolegjit Saverian, të redaktuar prej at Zef Valentinit (G. Valentini) më 1929, gjenden me qindra referenca për jetën e këtij qyteti, duke përfshirë edhe të dhënat për piratët e kusarët e detit, stratiotët, gumanët; si dhe për traktatet, marrëveshjet, indulgjencat e kapitulacionet me qendra tregtare në njërën dhe tjetrën anë të Adriatikut.

Një pjesë e historisë shumëshekullore të Tivarit është ngurtësuar në shenjat heraldike që gjenden me shumicë të gdhendura në pllaka guri dhe shkëmbinj. Kohë të ndryshme dhe kultura të ndryshme kanë lënë gjurmën e tyre të pashlyeshme në stematografinë bregdetare të qyteteve në veri të Shqipërisë shtetërore. Me sa dihet, askush s’është marrë me çkodifikimin e kumteve të këtyre emblemave. F. Crispi, i cili botoi më 1892 një libër studimor me ilustrime për traditën emblematike arbërore, ndoshta nuk kishte të dhëna për stemat që gjenden në këtë fortesë. Në studimet e mëvonshme të Dh. S. Shuteriqit, Gj. Varfit, Sh. Galicës, J. Brahajt, përmenden emblemat e familjeve të mëdha patronimike arbërore, si Kastriotët, Arianitët, Muzakajt, Dukagjinët, Engjëllorët, Shpatajt, Balshajt, Zenebishët, Skurajt. Por nuk përmenden mjaft mbiemra të tjerë të fisnikërisë arbëre, si Gasullët, Kazazët, Mazrekajt, Kryezinjtë (Cernoglavić-i), Palabardhajt (Bjelopavlić-i), Bogdanët. Pak e çuditshme kjo indiferencë e dijes ndaj traditës stematografike arbërore, kur dihet se emblemat dhe shenjat e tjera heraldike janë paraprirëse të simboleve kombëtare. Ishte pikërisht F. Konica ai që përshkroi i pari flamurin kombëtar që mendonte të mbanin shqiptarët, duke iu referuar simbolit të emblemës së Kastriotëve, atë flamur që kemi edhe sot, me ndonjë ndryshim fare të vogël. Në novelën disi të harruar “Emblema e dikurshme“ I. Kadare pati tërhequr vëmendjen tek fenomeni i ”fotografimit të kohës” dhe i kriptimit të sekreteve epokale në alfabetin e emblemave (në njërën prej tyre, të një familjeje aristokratike në Myzeqe, sipas shkrimtarit, ishte sekretuar kumti se ajo zonë kishte naftë, dhe pikërisht këtë kumt përpiqen të zhdukin “kapuçonët e zinj”, të ardhur s’dihet prej ku).

Në të vërtetë, me gjithë studimet e kryera deri më tani, nuk është hartuar ndonjëherë një “alfabet i shenjave” apo “fjalor i simboleve” heraldike, që do të lejonte leximin e sekreteve historikë të kyçur në stematografinë arbërore e pararbërore. Aq më pak mund të pretendohet për një leksikon të tillë për stematografinë arbëre të qyteteve jashtë kufijve shtetërorë. Kjo indiferencë ka ndikime jo vetëm në dije. Tradita stematografike bën pjesë në traditën e krijimit të identitetit të një populli dhe nënçmimi i saj mund të çojë në errësim të pamerituar të historisë.

Stematografia adriatike dhe ajo ballkanike, duke përfshirë atë arbërore dhe mbijetojat e saj në periudhën post-humaniste, prej të huajve është bërë çështje studimore shumë herët. P. Ritter, në librin e tij “Stemmatographia Illyricanae“, të botuar në Zagreb qysh në vitin 1702, pati përshkruar stemat e Dardanisë, të Dalmacisë, të Voskopojës (Moskopolis), të Diokleas, të Ragusës e Kotorrit, si dhe të shumë qyteteve dhe provincave të tjera të njohura në atë kohë. Në këtë libër stematografia paraqitet në një stad të ri: ajo lidhet jo më me mbiemrat patronimikë, por me kryeqendrat e zhvillimit ekonomik dhe tregtar. Nga pikëpamja e tipologjisë së shenjave stematografia e gurtë e fortesës së Tivarit mban vulën e një qyteti bregdetar, të hapur për ndikime, të afërta e të largëta, të krishtera e islamike, arbërore e sllave, këndej e përtej-adriatike, perëndimore e lindore, të hershme e të vona. Pranë e pranë gjenden luani ekspansiv i ngritur më këmbë i anzhuinëve, që u ngulit shumë shpejt jo vetëm te familja fisnike e dhëndërrit të Karlit të Madh, Topia, por, madje dhe në thellësi (hinterland) të Arbërisë mesjetare, deri në Dardani, siç dëshmohet në librin e P. Ritter; si dhe luani mbrojtës i Sinjorisë veneciane apo republikës së Shën Markut, sikurse njihet në histori. Shqiponja me krahë të shtrirë, që ishte mjaft e përhapur ndër familjet bujare arbërore deri në pushtimin osman, gjendet po aq e rrënjosur sa dhe shqiponja me krahë të ngritur e Crnojević-ëve dhe më pas e Njegoš-ëve.

Nuk duhet të çuditesh aspak nëse një shenjë heraldike të sjell ndërmend menora-n hebraike (shandanin tripjesësh që njihet me emrin “Tree of Life”) dhe një tjetër fare aty pranë përmban si shenjë qendrore palmën tridegëshe, sot simbol shtetëror hamit (saudit). Madje mund të gjesh bashkë një shqyt samit me një shenjë hamite! Aq më pak mund të habitesh nëse në mjaft shenja heraldike vendin qendror e zë trinia e krishterë, në formën e tri rozetave, tri motiveve floreale, tri vijave vertikale apo tërthore (diagonale) dhe ca më tej mund të gjesh tugranë e ndonjë pashai që pati ndërtuar për lartësimin e emrit të vet ndonjë çesmë a tyrbe; ose yllin e Davidit në një dizenjo fare të thjeshtë. “Fjalori i simboleve” të traditës stematografike të fortesës së Tivarit përmban motive gjeometrike dhe shenja që të kujtojnë praninë e detit, po ashtu dhe të tjera shenja që identifikojnë popullsinë e ardhur dhe mendësinë e fuqisë tokësore. Pikërisht kjo ndërthurje kulturash dhe qytetërimesh: vendëse dhe të ardhura, veneciane dhe anzhuine, të krishtera e hebraike, arabe e islamike, detare e tokësore, pastorale e të lundrimit, laike e fetare, pagane e monoteiste, përbën një argument shumë të rëndësishëm për të studiuar në detaje atë trashëgimi që fotografuan epokat në stematografinë e fortesës së Tivarit.

Studentë shqiptarë që bëjnë praktika dhe ekskursione mësimore, të tjerë që përgatisin teza diplomash dhe studime masteri e doktorate, mund të ngarkohen me detyra shkencore për këtë argument. Ndoshta nuk është e tepërt që të mendohet edhe për formimin e specialistëve heraldistë dhe stematografë, qoftë brenda vendit, qoftë jashtë, duke e lënë më pas në përgjegjësi të tyre shkencorizimin e studimeve në këtë fushë. Tani që kompleksi ideologjik ndaj bujarisë arbërore ka kaluar, tashmë që gjykimi për mesjetën s’ka pse të jetë gjithnjë i shoqëruar me cilësorin “e errët”, “obskurantiste”, “inkuizicioniste”, këto janë hapa për t’u hedhur me shpejtësi.

Top Channel