Policia e Shtetit ka arrestuar një prej autorëve të dyshuar të plagosjes së ndodhur në datën 2 gusht në Elbasan. Bëhet me dije se në prangat e policisë ka rënë 34-vjeçari Ilirjan Bezhani, ndërsa vijon të jetë në kërkim Genti Faqja, i cili rezulton i dënuar më parë për vrasje.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë në një lokal pranë Pallatit të Sporteve në qytetin e Elbasanit, ku të plagosurit dhe autorët ishin ulur në të njëjtën tavolinë. Mësohet se fillimisht ata kanë debatuar dhe më pas janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin.
Pas përleshjes fizike, njëri prej tyre ka shkuar në shtëpi ku ka marrë një armë zjarri kallashnikov dhe është kthyer sërish në lokal dhe ka qëlluar ndaj tre personave duke i lënë të plagosur rëndë.
Sipas informacioneve, të plagosurit kanë lidhje fisnore me njëri-tjetrin dhe sipas policisë janë jashtë rrezikut për jetën në spital.
Top Channel