Megjithëse e diela e 30 Qershorit ishte e qetë dhe me incidente të pakta, nuk munguan krimet zgjedhore.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, duke shfrytëzuar të drejtën e informimit publik, i kërkoi zyrës së shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme, të dhënat për procedimet penale që lidhen me krimet zgjedhore para dhe pas zgjedhjeve të 30 Qershorit.
Nga përgjigja e marrë rezulton se 13 prokurori në rrethe kanë regjistruar një total prej 37 procedimesh penale.
Numrin më të madh me nga 7 secila e kanë prokuroritë e qyteteve të Shkodrës dhe Tiranës.
Procedimet penale nga prokurorët e Shkodrës lidhen me djegien e disa KZAV-e përpara ditës së zgjedhjeve.
Pas Tiranës dhe Shkodrës renditen Elbasani me 4 të tilla dhe Tropoja me 3.
Në përgjigjen për Top-Channel Prokuroria e Përgjithshme thotë se “prokuroritë e tjera të rretheve gjyqësore kanë njoftuar se deri në këto momente nuk kanë të regjistruar procedime penale lidhur me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira në funksion të zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.”
Ndërsa për periudhën kohore 1 janar- 10 qershor 2019 në shkallë vendi janë regjistruar 2 procedime penale nga prokuroritë e Matit dhe Kurbinit.
Siç edhe Top Channel raportoi dy ditë më parë prokuroritë në rrethe, janë duke monitoruar situatën në ato qytetet ku është duke u tentuar bllokimi konstituimit të këshillave bashkiakë e moslejemi marrjes së detyrës nga kryebashkiatët e rinj.
Ata ish-kryebashkiakë, të cilët nuk do të lirojnë zyrat, priten të përballen me akuza në bazë të nenit 249 të kodit të procedurës penale.
Ky nen parashikon se, “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij, vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim gjer një vit”.
Procedimet
Prokuroria Shkodër, 7 procedime.
Prokuroria Tiranë, 7 procedime.
Prokuroria Elbasan, 4 procedime.
Prokuroria Tropojë, 3 procedime.
Prokuroria Mat, 2 procedime.
Prokuroria Sarandë, 2 procedime.
Prokuroria Korçë, 2 procedime.
Prokuroria Kavajë, 2 procedime .
Prokuroria Kurbin, 2 procedime.
Prokuroria Pogradec, 1 procedim.
Prokuroria Dibër, 1 procedim.
Prokuroria Fier, 1 procedim.
Prokuroria Durrës, 1 procedim.
Top Channel