Teatri Kombëtar/ Rama sjell fjalët e Drita Haxhiraj: Të bëhet i ri, t’u vlejë brezave të ardhshëm

26/07/2019 10:16

Kryeministri Edi Rama pas publikimit të qëndrimit të Raimonda Bulkut për një Teatër të ri, sot ka postuar në profilin e tij në facebook qëndrimin e një tjetër aktoreje, atë të Drita Haxhiraj.

Rama thotë se “ajo bën pjesë tek shumica e komunitetit teatror që kërkon ndërtimin e një Teatrit të Ri Kombëtar në vend të kapanonit të ushtrisë italiane, i cili u kthye në teatër gjatë komunizmit dhe mbeti një karakatinë gjithnjë e më jodinjitoze, deri sot e gjithë ditën”.

Postimi i Ramës

Aktorja e njohur Drita Haxhiraj, është ngjitur një jetë të tërë në skenën e Teatrit Kombëtar. Ajo bën pjesë tek shumica e komunitetit teatror që kërkon ndërtimin e një Teatrit të Ri Kombëtar në vend të kapanonit të ushtrisë italiane, i cili u kthye në teatër gjatë komunizmit dhe mbeti një karakatinë gjithnjë e më jodinjitoze, deri sot e gjithë ditën. Një gërmadhe që vetëm emrin ka teatër, e që as në ditët e veta më të mira nuk e ka lehtësuar, po e ka vështirësuar dhe dëmtuar aktivitetin artistik me kushtet e veta mizerabël, me hapësirat krejt të papërshtatshme për një teatër normal (lëre pastaj KOMBËTAR), me mungesën e mjediseve për aktorët e me radhë.

DRITA HAXHIRAJ:

Në atë godinë ruajmë kujtime të hidhura edhe të ëmbla. Godina është shumë e shtrenjtë për ne, është “Jerusalemi ynë”, siç ka thënë edhe Robert Ndrenika. Por duhet t’ju them se gjendja e saj fizike është e rëndë. Kur ne futeshim poshtë skenës për të kaluar në anën tjetër, atje kishte lagështirë dhe myk. Aty janë sëmurur shumë aktorë. Në vitet 1972-’73, Naim Frashëri, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka diskutonin për të bërë një teatër të ri, sepse të gjithë po sëmureshin nga mushkëritë. Pjetër Gjoka u sëmur nga mushkëritë. Për mos t’ju thënë edhe të fundit, që për shkak të mushkërive është ndarë nga jeta kolegu dhe partneri që nga fëmijëria, Roland Trebicka. Vetë ata që e krijuan e ngritën si problem se duhet një teatër i ri. Ata donin vendin, territorin, por jo muret. Ky është amaneti i tyre! Ne jemi me ta, që teatri të bëhet i ri dhe modern, jo për të kaluar radhën apo për të përfituar ndonjë tjetër. Të jetë aty ku është, të ndërtohet bukur edhe t’u vlejë brezave të ardhshëm.

Top Channel