Një aksident rrugor, qoftë me pasoja të rënda apo të lehta, shoqërohet edhe nga një kosto financiare, që jo në pak raste janë të larta.

Personi që mbetet i dëmtuar, duhet të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, kosto këto të cilat mbulohen nga spitalet, por edhe nga siguracioni i detyrueshëm i automjeteve.

Një pjesë e këtyre çështjeve, përfundojnë dyerve të gjykatës, ku të plagosur apo te dëmtuar nga aksidenti ngrejnë pretendimet për masën e dëmshpërblimit që u takon.

Çështjet mund të jenë mes palës së aksidentuar dhe kompanisë së sigurimeve apo edhe ndaj institucioneve, kryesisht atyre që merren me mirëmbajtjen e rrugëve.

Kjo është një nga shumë çështjet që është dërguar për shqyrtim në gjykatën e lartë ku pala paditëse kërkon nga kompania e sigurimit dëshmpërblimin në vlerën maksimale.
Në padi thuhet:

“Detyrimin për të dëmshpërblyer dëmin e plotë pasuror, shpenzimet e nevojshme dhe të arsyeshme të varrimit, si dhe dëmin e plotë jopasuror për çdo paditës, i cili konsiston në dëmin moral, ekzistencial si pasojë e vdekjes së të ndjerit ……në vlerën 20.000.000 lekë.”

Drejtori i kompanisë së Sigurimeve SIGMA, Klaidi Çitozi, në një intervistë për Top Channel tha se për një aksident janë dy vlera që mbulohen nga siguracionet:

“Kemi dy vlera, që i referohemi ligjit. E para është limiti maksimal i përgjegjësisë që është 50 milionë lek të reja për ngjarjen, për të gjithë të përfshirët në një ngjarje automobilistike dhe limiti maksimal për një person të dëmtuar është 20 milionë. Këto janë vlerat makismale por dëmshpërblimi për çdo person varet nga disa komponentë.”

Këto shuma dëmshpërblimi, bëhen sipas disa komponetëve që lidhen me punësimin apo jo të të aksidentuarit, rrogën, moshën, si dhe masën e paaftësisë mbas aksidentit. Por megjithatë, kostot ndahen midis spitalit dhe kompanive të sigurimit.

“Në qoftë se do ketë nevojë për elementë shtesë të cilët spitali nuk i ofron, jo vetëm spitali i traumës por edhe të gjithë spitalet që nuk i ofrojnë, atëherë këto mbulohen nga kompania e sigurimeve që mund të jenë pjesë ortopedike të cilat nuk mbulohen nga spitali i traumas”, thotë ai.

Një i plagosuri lehtë në një aksident rrugor, spitalit të traumës i kushton rreth 30 mijë lek, për të shkuar deri në 70 mijë lek për ata që aksidentohen rëndë dhe kanë nevojë për trajtim në reanimacion.

Top Channel