Nga Monika STAFA
Si erdhi Ana Karenina në duart e lexuesit shqiptar? C’pasione zgjon ende kjo figurë plot mister ? Cila është Ana në të vërtetë?
Një riardhje e Annës i takon kinemasë, kinemasë më të fuqishme të botës së sotme, Hollywood-it por dhe asaj ruse e nuk kish asesi të mungonte edhe tek ajo. Anna Karenina hyri në botën shqiptare prej letërsisë, në një kohë kur kulturën e vendit e dominonte miti rus, adhurimi i artit të Rusisë.
Por në të dyja rastet, në kinemanë e Hollivudit dhe atë ruse Anna ardhur në ekranin e madh publik ndryshon shumë prej asaj të parës, “së vërtetës”. Dhe ndryshimi duket qartë në zëvendësimin e pasionit, afeksionit, ndjenjës së fortë, me efektet kinematografike, të shumta dhe të befasishme por të dukshme për një vepër “fiction”. Gjithçka që ndodh, përmes teknikës moderne të kinemasë, shikuesit i bëhet e ditur se është thjesht art. Peizazhi është i krijuar nga dora e njeriut, lëvizjet e aktorëve janë të programuara nga regjia, dhe më shumë se në mjedisin e vërtetë të ngjarjeve të duket se je në një teatër me skenografi dhe kostumografinë përkatëse. Afeksionin e ka zëvendësuar efekti kinematografik, magjia e shpejtimit dhe ngadalësimit artificial të lëvizjes, veprimit dhe mendimit.
Anna Karenina ka pasur një fat të vështirë qëkurse u botua. Doli në dritë në formën e fashikujve, u pengua të shpërfaqej prej rretheve që nuk e donin letërsinë e Tolstojt, u nënçmua për një kohë të gjatë deri sa arriti të quhej një prej njëqind veprave më të bukura të gjithë historisë së letërsisë botërore, paraprirëse e “Luftës dhe paqes”, paralajmëruese e dështimit të aristokracisë ruse, paralajmëruese e rrënimit të moralit fisnik, në një farë mënyre dhe paralajmëruese e fundit të Rusisë cariste.
Shumë studiues e kanë parë konfliktin e Annës si një dramë brenda subjektit: devocioni apo dashuria, familja apo liria, burri apo i dashuri, martesa e shenjtë apo liria qytetare. Një konflikt që, tek e fundit, e çoi Annën nën rrotat e shpikjes më të rëndësishme të revolucionit industrial, avullores, lokomotivës. Në të vërtetë konflikti brenda Annës është konflikti që ka gjithë Rusia e kohës: ajo duhet të zgjedhë se çfarë do të jetë – borgjeze (qytetare) apo aristokratike, brenda kështjellave me sherbëtorë, sallone, shambërlenë, e kapela. Sepse edhe borgjez, edhe kalorës, nuk mund të jesh njëherësh. Kjo ka qenë dhe është logjika e rreptë e historisë njerëzore. “Unë jam kalorës” është e drejtë e kujtdo ta thotë, por kalorës në kryeqytet nuk mund të ketë.
Kjo është Anna e Tolstojt, shkruar 140 vjet më parë. Midis mbiemrit të burrit (Karenin) dhe një ndjenje të fortë dashurie për Vronskijn, ajo errëson të ardhmen e vet, ashtu siç ishte tuneli i gjithë Rusisë së kohës, dhe e mbyll jetën në shenjë paditëse për një shoqëri që e ka mbytur hipokrizia, mashtrimi, dyfytyrësia, madje dhe dygjuhësia. Wshtë koha kur Moska dhe Petersburgu flasin frëngjisht në sallonet aristokratike dhe rusisht në popull. Vetë Tolstoj ishte ndërmjet qytetit borgjez (Moskës) dhe pasionit të fisnikut të vjetër (“Jasnaja Poljana”); midis rusishtes dhe frëngjshtes. Fjalimi i tij në Radio Francën më 1907 “Qu’est-ce que la religion?” është quajtur një prej fjalimeve më të bukur të shekullit të 20-të. Ashtu si filozofët klasikë gjermanë, Tolstoj kishte arritur në përfundimin se Zoti klasik nuk u shërbente më njerëzve dhe duhej shpikur një moral i ri. Morali i vjetër nuk i la rrugë hapur Anna Kareninës, veç vetëvrasjes. Tolstoj do të provonte të propozonte një moral të ri me “Ringjalljen”, ashtu si Nietzsche me Zarathustrën, por pa ndonjë sukses. Të paktën ai një gjë e dinte mirë, më mirë se gjithë Rusia e kohës dhe më mirë se shqiptarët një shekull më vonë: kalorës në mes të Moskës dhe Petersburgut nuk mund të kishte, prandaj “u arratis” nga rrëmuja dhe rrëmeti dhe rrojti në një shoqëri të krijuar prej atij vetë si fisnik modern me bujq që e adhuronin në fermën e tij Jasnaja Polnaja, një farë ishulli robinsonade.
Po si erdhi Anna Karenina e Tolstoit në kinemanë e sotme? Natyrisht jo një Annë dilematike, jo më pak dilematike se Hamleti; një Annë dramatike, jo më pak dramatike se Zonja Bovari; një Annë pasionante, jo më pak pasionante se shumë karaktere të letërsive europiane të kohës, jo më pak pasionante se Natasha Rostova e vetë Tolstojt. Në fakt, shkrimtari rus në veprën e vet e pati futur anën në “rrethin” e botës ku ai vetë jetonte. Një nga mbiemrat aristokratikë të personazheve të romanit jo rastësisht mban mbiemrin Levin, domethënë emrin e vetë Tolstojt (Lev Nikolajevic), dhe shumë dijetarë e kanë lidhur me atë vetë. Si të thuash, kjo Annë e re, jo vetëm që është shkëputur nga bota e shkrimtarit, jo vetëm që është shkëputur nga bota ruse vetë, por në një farë mënyre është kthyer në një vegël në duar të regjisë për të manipuluar me historinë, siç ka ndodhur shumë shpesh me kinemanë: mjafton të përmendim debatet e mëdha për Aleksandrin e Madh, pasionin e Krishtit, betejën e Maratonës (filmi “300”). Kushtëzimi i artit, duke përfshirë dhe kinemanë, prej faktit; simbioza e atij që quhet arti-fakt, e bëjnë shumë të ndryshëm kinemanë prej librit.
Anna e kinemasë ndryshon shumë prej asaj të origjinës. Ajo paraqitet tejet e kalkuluar, gati-gati e bindur që në krye se çfarë rruge do të ndjekë; jo fatale, por e devotshme se ka zgjedhur rrugën e drejtë; jo paditëse, por hyjizuese e “martesës së shenjtë”; jo viktimë, por heroinë e zgjedhjes së vet; jo dilematike, por e vendosur për të shkuar drejt fundit; jo konfuze dhe në krizë mendore, por e kthjellët.
Në fund të fundit, kjo është industria e kinemasë, e cila nuk ka për qëllim që të ringjallë veprat e kryeveprat e letërsisë botërore, por t’i përdorë ato në funksion të qëllimeve të veta, për breza të rinj që nuk kanë kohë të lexojnë, që madje nuk arrijnë të kuptojnë konfliktin midis nderit fisnik dhe pragmatizmit borgjez, midis aristokracisë muzeale dhe jetës së gjallë të popullit. Një Annë në duart e regjisorit hollivudian, që flet me dialogjet që ka shkruar Tolstoj afro një shekull e gjysmë më parë, por jo me mjedis tjetër dhe mbi të gjitha me një frymëzim tjetër.
Top Channel