Pas një frymëmarrjeje të shkurtër pas valës së të nxehtit që përvëloi Evropën, muajin e shkuar, parashikimet thonë se temperaturat do të rriten edhe një herë tjetër javën e ardhshme në vende si Franca, Gjermania, Austria, Britania e Madhe, Norvegjia, Holanda, Spanja dhe Portugalia.
Meteo-France tha se mund të jemi duke shkuar drejt një vale të dytë të nxehti, por parashikimet nuk janë ende përfundimtare. Agjencia tha se do të vazhdojë të monitorojë ndryshimet e motit dhe tendencat, që në mënyrë të vazhdueshme ndryshojnë, gjatë ditëve në vijim.
Valë të nxehti klasifikohen shumë ditë radhazi me temperatura jo normalisht të larta. Meteo-France paralajmëroi sidoqoftë se mërkuri do të fillojë të ngjitet këtë fundjavë në Francë dhe në shumë vende të tjera dhe të enjten e ardhshme do të arrijë në 35 gradë celsius.
E mërkura dhe e enjtja e javës së ardhshme do të jenë ditët më të nxehta me temperaturat maksimale që mund të arrijnë deri në 40 gradë celsius. Në fund të javës së ardhshme priten disa stuhi por të lokalizuara.
Edhe pse franca është vendi i vetëm që zyrtarisht ka njoftuar për ardhjen e kushteve të nxehta të motit, parashikimet e ekspertëve dhe agjencive të tjera të motit tregojnë se edhe vendet e tjera të Evropës do të regjistrojnë temperatura ekstremisht të larta.
Në fund të qershorit, moti ekstremisht i nxehtë bëri që të thyheshin disa rekorde, me Francën që kaloi kufirin e 45 gradëve celcius për të parën herë dhe me Gjermaninë, Austrinë, Republikën Çeke etj që shënuan temperaturat më të larta në histori për muajin qershor.
Pas qershorit, shkencëtarët thonë se edhe korriku i ka të gjitha gjasat që të jetë korriku më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.
Top Channel