Nga GABRIEL GARSIA MARKEZ
Njëqind vjet vetmi është një nga romanet më të lexuar të letërsisë botërore. Ai është përkthyer në 37 gjuhë të botës dhe ka shitur më shumë se 50 milionë kopje.
‘Njëqind Vjet Vetmi’ tregon jetën përgjatë një shekulli të një familje të rëndësishme e cila udhëhoqi themelimin e qytetin kolumbian dhe krijimin e shtetit të Kolumbisë. Ky roman i dha suksesin e merituar shkrimtarit Gabriel Garcia Marquez me të cilin ai mori dhe cmimin Nobel.
Më shumë se 50 vjet pas publikimit të tij ‘Netflix’, ka vendosur ta përshtasë atë në ekran. Kritikët thonë se Markez-i shkroi një roman që në Europë nuk është shkruar dot deri tani dhe që ndoshta as që mund të shkruhet ndonjëherë: letërsi si reportazh i krijimit, si rikujtesë magjike dhe si rebelim. Në Vitrinën e Librit Mira Meksi, përkthyesja e njohur thotë se ky roman është quajtur si kryvepra letrare botërore e shekullit të XX-të, libwr mbi librat; shkrimtari i madh amerikan William Kennedy ka thënë se ky roman pas Biblës është i domosdoshëm për njerëzimin. Po cila është tema e trajtuar në këtë roman?
Në kryeveprën “Njëqind vjet vetmi”, fillimisht menduar me titullin “Shtëpia”, përshkruhet ngritja dhe rënia e familjes Buendia dhe e fshatit Macondo, themeluar prej saj në zemrën e Kolumbisë. Gjashtë breza, jetët e të cilëve gërshetohen në një dimension alternativ, në një vend jashtë botës. Nga kryeplaku i familjes dhe themeluesi i Macondo-s, Josè Arcadio Buendia deri tek fëmija i fundit me të cilin mbyllet romani kalon një shekull, një shekull plot magji dhe misticizëm.
Duke u martuar Josè Arcadio me kushërirën e tij Ursula, të gjashta brezat jetojnë të mbytur nga supersticioni dhe nga frika e fëmijëve me bisht derrkuci. Të pakta janë çastet e lumtura në jetën e Mocando-s, shpesh i trazuar nga lufta civile, lulëzimi ekonomik, shfrytëzimi, katastrofat natyrore dhe shkatërrimet nga dora e njeriut. Jeta që zhvillohet në faqet e romanit nuk është vetëm ajo e fshatit por e gjithë Amerikës Latine. Personazhet e historisë janë të shumtë: nipër, fëmijë, vëllezër, me hidhërimet e tyre, ndryshimet e gjeneratave, fantazitë e papërmbushura, vitalitetin e burrave dhe mençurinë e grave të Macondos. Derisa arrijmë në fund, ku tërë fshati shkatërrohet nga një ciklon tropikal. Mesazhet e autorit në “Njëqind vjet vetmi” janë të shumta. Marquez na thotë psh. që vetmia e ndjek njeriun hap pas hapi; një njeri që lufton për mos arritur pastaj në asgjë, për t’u gjetur sërisht në pikënisje.
Në shumë intervista García Márquez ka thënë se është e vështirë që në romanet e tij të mos gjesh gjëra që nuk ka lidhje me realitetin. Pra realizmi i tij është magjik sepse është real. Kjo është hera e dytë që kjo kryevepër e letërsisë botërore vjen në gjuhën shqipe. Herën e parë është përkthyer nga një përkthyes i mirënjohur si Robert Shvarc që në 1998. Përse u pa e nevojshme një tjetër përkthim i ri në shqip? Mira Meksi thotë se arsyeja e vërtetë është që lexuesi të ketë një ide të qartë se si është përkthyer ky roman dhe si duhej përkthyer. Përkthimi nga origjinali, përkthimi kur kanë kaluar njëzet vjet nga ai i Robert Shvarcit, përvoja si dhe mundësitë e sotme që kanë përkthyesit nga përdorimi i internetit janë disa nga këto arsye.
Top Channel