Europol mbërrin në Tiranë; Hapen zyra për bashkëpunimin kundër krimit

11/07/2019 13:54

Të enjten u bë edhe ceremonia e hapjes së zyrës së oficerit ndërlidhës së Europolit në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Të pranishëm ishin Drejtoresha Ekzekutive e Europol, Catherinë de Bolle, ambasadori BE-së, Luiggi Sorecca, Ministri Lleshaj dhe Drejtori i Policisë Ardi Veliu.

Në fjalën e saj Catherine De Bolle, tha se hapja e kësaj zyrë në Tiranë është e një rëndësie të madhe.

“Do të doja të theksoja bashkëpunimin e mirë që tashme kemi mes Shqipërisë dhe Europolit. Shqipëria ashtu si edhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, mbetet nje vend kycc dhe strategjik për bashkepunimet me Europolin. Zyra e oficerit ndërlidhës është hapi tjetër I riforcimit të bashkëpunimit tonë. Kjo zyrë synon të lehtësojë shkëmbimin e informacionit dhe të promovojë koordinimet e aktiviteteve operacionale. Aktualisht ne kemi pasur një mbështetje shumë të mirë nga Shqipëria në luftën kundër trafikimit të drogës”, tha De Bolle.

Ambasadori Sorecca u shpreh se bashkëpunimet e deritanishme të shqipërisë në operacionet ndërkombëtare kanë qenë të suksesshme dhe kanë rritur besimin
“Këto operacione të suksesshme ofrojnë dëshmi se autoritetet shqiptare të zbatimit të ligjit janë partnerë të besueshëm që meritojnë besimin e homologëve të tyre në Shtetet Anëtare të BE-së. Policia e Shtetit në Shqipëri është gjithnjë e më e aftë të angazhohet në operacione policore shumë delikate me partnerët e saj evropianë”, u shpreh Sorecca.

Fjalën përmbyllëse të ceremonisë e mbajti Ministri Lleshaj. Ai tha se çelja e kësaj zyre janë hapa drejt bashkimit Europian.

“Përpjekja jonë për integrim në Bashkimin Europian po konkretizohet përditë e më shumë në element konkretë dhe praktikë. Fillimi i operacionit të FRONTEX në kufijtë e Shqipërisë, përbën një hap të rëndësishëm, i cili ndodh për herë të parë në një vend jashtë BE. Edhe hapja e Zyrës së EUROPOL në Tiranë, është e para në rajon dhe siç tha dhe Drejtorja Ekzekutive e dyta në botë pas Uashingtonit, gjë që na bën të ndihemi mire”, tha Lleshaj.

Marrëveshja e parë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Europol, është nënshkruar në vitin 2013 në Hagë. Ndërsa marrëveshja për krijimin e zyrës së oficerit ndërlidhës, u nënshkrua në vitin 2018, mes Drejtorit të Policisë Ardi Veliut dhe Zëvëndës Drejtorit Ekzekutiv të Operacioneve, Wil van Gemert.
Vitin e shkuar shqipëria mori pjesë në 8 operacione ndërkombëtare, ndërsa në gjashtmujorin e parë të këtij viti, ka bashkëpunuar në 12 operacione.

Top Channel