Breshër sa një grusht në Itali, lëndohen 18 persona nga moti i keq në Pescara

11/07/2019 09:06

Nga i nxehti i skajshëm, në stuhi me erëra të dhunshme e reshje të forta, disa pjesë të Italisë po përballen me kapriçot e motit dhe dëmet që ato janë duke lënë pas. Në brigjet e vendit fqinj të lagura nga deti Adriatik, erërat që kanë mbërritur shpejtësinë deri në 150 km në orë, kanë shkulur nga plazhet çadra e shezlonge.

Në Pescara, 18 persona janë lënduar nga breshëri e kanë përfunduar në spital me dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit, por sidomos në kokë. Kokërrat e breshërit atje mbërrinin deri në madhësinë e një grushti. Mes të plagosurve është edhe një grua shtatzënë, me lëndime në kokë e fytyrë.

Një sërë automjetesh janë dëmtuar nga breshëri, ndërsa kati i poshtëm i spitalit ‘Santo Spirito’ është përmbytur nga uji. Punonjësit e shpëtimit kontrolluan për persona të bllokuar nëpër makina apo në parkimin e spitalit të pushtuar nga uji.

Rreth 800 ndërhyrje të lidhura me motin e keq janë kryer nga ekipet e zjarrfikësve në zonat e prekura nga stuhitë. Një anije e rojes bregdetare arriti të shpëtonte një person i cili kishte mbetur në det rreth 500 metra larg bregut.

Ndërkohë në Taranto, forca e erës ishte aq e madhe sa bëri të rrëzohej një vinç. Punonjësi 31 vjeçar që ndodhej aty ka përfunduar në ujë dhe pavarësisht kërkimeve intensive, nuk është gjetur ende.

  Greqi, 6 të vdekur dhe 120 të plagosur nga moti i keq

FOTO GALERI
2/6

Top Channel