Liderët e BE-së në Bruksel mbeten të ndarë, për emrat e personave që do të marrin postet kryesore të Unionit, përfshirë atë të pasuesit të shefit të komisionit, Jean Claude Juncker.
Bisedimet rifilluan gjatë mëngjesit, të hënën, pasi vendet anëtare dështuan të arrinin një marrëveshje në samitin urgjent, të mbledhur të dielën.
Organizatori i samitit, Presidenti i Këshillit Donald Tusk, vendosi të bëhej një pushim për bisedime dypalëshe.
Tusk dhe disa liderë të tjerë, mësohet se kanë propozuar politikanin holandez të qendrës së majtë, Frans Timmermans për postin kryesor. Por, emri i tij përballet me kundërshti, nga shtetet e Europës Lindore dhe liderët e qendrës së djathtë, nga grupi më i madh politik i BE-së, PPE.
“Nuk janë konsultime fort të thjeshta. Parlamenti është ravijëzuar, Partia popullore, forca më e madhe në të nuk ka shumicën dhe Donald Tusk do të ketë një detyrë shumë të vështirë”, është shprehur Angela Merkel.
Timmermanns mbështetej edhe nga kancelarja Angela Merkel, por jo nga Europiano-Lindorët dhe Grupi i Vishegradit, Polonia, Hungaria, Çekia.
Këta e refuzojnë Timmermansin si të papërshtatshëm, sepse nuk e kupton Europa Lindore. Arsyeja kryesore për ta është se zëvendëskryetari i Komisionit është pro procedurave të shkeljes së marrëveshjeve të BE, që synon të zhvillojë komisioni ndaj disa shteteve që kanë shkelur shtetin ligjor, si për shembull, Polonia e Hungaria. Për shkak të mospajtimeve, ka gjasa që konsultimet të shtyhen deri në mes të korrikut.
Top Channel