Zgjedhjet LIVE/ Gramoz Ruçi: Ka ikur koha e diktaturës, palët të reflektojnë

30/06/2019 08:41

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar.

Ka qenë ora rreth 07:40, kur Gramoz Ruçi është paraqitur në qendrën e votimit 1729, tek Liceu Artistik, ku ka hedhur edhe votën e tij.

“Sot u bëj thirrje të gjithë qytetarëve për qetësi, maturi dhe vendosmëri. Të kontribuojmë të gjithë që 30 qershori të jetë një ditë e qetë.
Secili që dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, të votojë me maturi. Të respektojmë si ata që po votojnë edhe ata që nuk dëshitojnë të marrin pjesë në proces. Sot është dita të tregojmë vendosmëri për të vazhduar e thelluar reformat e që kemi ndërmarrë. Një proces me qetësi, standarte e pjesëmarrje është një hap i vendosur dhe një veprim i matur drejt hapjes së negociatave në muajin tetor.

Të votojmë sot dhe të mendojmë edhe për nesër. Pas zgjedhjeve të gjithë do të vazhdojmë të punojmë për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

I bëj thirrje klasës politike për qetësi e reflektim. Fituesit nuk duhet ta quajnë veten dhe të sillen si triumfatorë. Ata që vendosën të mos marrin pjesë duhet të bëjnë analizën e tyre.

Unë personalisht jo vetëm votova, por edhe zgjodha. Shqipëria është një vend demokratik dhe ka ikur përfundimisht koha e diktaturës në këtë vend.”

Top Channel