Opozita e kishte bojkotuar disa herë herë Kuvendin, por duke dalë dhe u kthyer sërish, deri më 16 shkurt. Por, zhvillimi që e nxori jashtë Parlamentit ishte seanca e betimit të ministrave të rinj, ku mazhoranca nuk lejoi debat për riformatimin e kabinetit “Rama 2”.
Protesta e parë e opozitës nisi me lule, por u mbyll me akte dhune, zjarr dhe gazlotsjellës.
Lulzim Basha u duk se po ecte në të njëjtën rrugë si në 2017, lajmëroi nisjen e stinës së protestave për largimin Ramës si Kryeministër, dhe kërkoi qeveri tranzitore që të përgatiste vendin për zgjedhje.
Por, 16 shkurti do i jepte një tjetër kthesë aksionit të opozitës, e cila të nesërmen e protestës vendosi djegien e mandateve në bllok, një akt ekstrem qe asnjë force politike se kishte ndërmarrë më parë.
Opozitarët mblodhën menjëherë forumet më të larta të partisë për të mbledhur firmat. Me radhë Lulzim Basha, Monika Kryemadhi pasuar nga deputetët firmosën lënien e mandatit. Për herë të parë pas 28 viteve Sali Berisha nuk do ishte më në Parlament.
3 deputetë të opozitës Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi nga radhët e PD-së dhe Lefter Koka nga LSI-së, refuzuan të lënë mandatet, ndërsa kolegët e tyre në rresht ndoqën liderët e partisë të cilët dorëzuan në Kuvend mandatet bashkë me protestuesit.
Dhuna u shmang pas një presioni të fortë ndërkombëtar, kërkoi në kor evitimin e episodeve të dhunës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk humbi kohë dhe nisi plotësimin e vakancave, ndërsa shumë kandidatë nga lista pasuese nuk iu bindën urdhrave të kryetarëve.
Jashtë parlamentit, protestat ishin rruga e vetme e opozitës, të cilat vijuan çdo javë parlamentit, çdo muaj protesta kombëtare, deri në bllokim rrugësh e djegie gomash. Policia kundërpërgjigjej me gaz lotsjellës.
Dhunës nuk i shpëtuan deputetët socialistë, por as ligjvënësit e rinj të cilët dilnin kundër urdhrit të partisë.
Në kushtet e një krize politike dhe protestave te pandalshme, vendimi për të bojkotuar zgjedhjet lokale nuk ishte surprizë.
PD-LSI bojkotuan si fillim komisionet zonale të administrimit zgjedhor. Ndërsa vendimi që asnjë parti opozitarë të mos regjistrohet në zgjedhje vulosi bojkotin e 30 qershorit.
11 maji, u shënua si protesta me e fortë e opozitës, ku institucionet e shtetit u sulmuan me molotov.
Teksa maji po mbyllej vrullshëm, pa asnjë marrëveshje ne horizont Edi Rama tentoi të vendosë ura komunikimi me Lulzim Bashën, i cili përbetohej se kurrë nuk do kishte një 17 maj të dytë me kundërshtarin politik. 6 letra publike dhe një drejtuar demokratëve u injoruan nga lideri i opozitës.
Opozita e nisi me dhunë, por i mbylli me paqe protestat. Qetësimi i opozitës u lidh me mesazhet e forta amerikane deri në tone kërcënuese se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do I konsideronin partitë jashtë parlamentare të opozitës si organizata të dhunshme. Opozita as i mohoi as i pohoi lajmet te cilat qarkulluan ndërsa në protestë lideri i opozitës u shfaq me dy vajzat e tij.
Top Channel