Ndërtimi i Gj.Kushtetuese/ Në garë për t’u zgjedhur kanë mbetur 18 kandidatë

28/06/2019 17:31

Ndaj dy drejtuesve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Komisioni i Monitorimit të Reformës kishte mjaft pyetje që lidhen me vlerësimin e garuesve që synojnë Gjykatën Kushtetuese.

Por shqetësimi thelbësor ishte vetëm një: A do ketë vendim Gjykate Kushtetuese në verë apo në vjeshtë?

“Ligji parashikon që KED të përfundojë verifikimin, të bëjë vlerësimin e renditjen e kandidatëve. Kjo është detyra jonë dhe kjo do të ndodhë patjetër në muajin korrik. Jam në vështirësi të them një datë të saktë. Por ajo që parashikon ligji është se të nesërmen që organet e emërtesës, pra Presidenti dhe Kuvendi marrin listat e kandidatëve të rënditur nga ana jonë, kanë 30 ditë afat për të marrë vendimmarrjen e tyre”, tha Ardian Dvorani, kryetar i KED.

Në garën për Gjykatën Kushtetuese nga 49 pretendentë kane mbetur 18. Ilir Mustafaj dhe Anila Kristani që i përkasin gjyqësorit duhet të vetohen dhe ky rregull e detyron KED të ndjekë të njëjtin precedent pritjeje siç po veprohet për garën e Prokurorit të Përgjithshëm apo edhe për SPAK.

Edhe gara për në Gjykatën Kushtetuese do të mbesë në vendqendro, derisa të përfundojë procesi i vetting për dy nga kandidatët gjyqtarë që pretendojnë një post në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne këmbëngulim që ky proces të realizohet në këtë mënyrë, se është më e drejtë. Shpresojmë që duke realizuar KPK edhe këto dy verifikime do ta ndihmojnë KED të kalojnë në fazën tjetër”, tha Dvorani.

Pas kalimit të kësaj vështirësie, një tjetër do të hapet më pas sa i takon renditjes së atyre kandidatëve që kanë paraqitur interes në të gjashtë vakancat për në Gjykatën Kushtetuese, të cilët mund të dalin fitues në disa nga listat që më pas i dorëzohen Kuvendit dhe Presidencës. I vështirë do të jetë ushtrimi edhe për urdhrin tjetër ligjor që për çdo vakancë të shpallur kërkohen tre emra.

Top Channel