Disa prej dyqaneve të mëdha në Paris i nisën përpara uljet e verës. edhe pse shitjet kanë ecur mirë këtë vit, ato online i kanë dhënë një goditje rrjeteve në terren, të cilave u duhet tani të përshtaten e të modernizojnë mënyrat e tyre të shpërndarjes.
Uljet që do të zgjasin 6 javë, do të jenë të fundit në Francë përpara se të hyjë në fuqi, dimrin e 2020-tës paketa ligjore që e redukton numrin e tyre në 4. Reagimi i njerëzve ishte i shpejtë, siç u pa qartë nga radhët e gjata të atyre që nxituan të përfitonin nga çmimet e tkurrura.
Këtë vit, sipas një sondazhi të realizuar për llogari të firmës së këpucëve “Sparto”, 44% e të intervistuarve e konsiderojnë internetin si vendin ideal për blerje. Blerjet online në vend kanë një rritje me 8,7% krahasuar me 2018-tën, dhe përfaqësojnë 11,8% të parave të shpenzuara nga gratë franceze për veshjet e tyre të përditshme.
Franca është një prej shteteve të pakta në botë që ka rregullore të forta për uljet, në një kohë kur blerësit në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara mund ti shijojnë ato pafund, së bashku me promocionet apo ofertat speciale, që bëhen përgjatë gjithë vitit.
Top Channel