Top Talk/ Shtyrja e zgjedhjeve nga Presidenti, Milo: Akt për t’i dhënë mundësi dialogut. Palët duhet të tërhiqen nga parakushtet

13/06/2019 16:00

Sot është një ditë jo e zakonshme për jetën parlamentare dhe atë politike në Shqipëri. Kuvendi i Shqipërisë me po diskuton mbi shkeljet kushtetuese të aktit të presidentit të Republikës që nxori një dekret për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Nga ana tjetër Ilir Meta në vijim të aksionit të tij politik ka nisur takimet me drejtues të partive politike për të caktuar një datë të re zgjedhjesh, por në axhendë nuk ka një takim të parashikuar me socialistët që thonë se për ta data e zgjedhjeve është 30 Qershori dhe kjo është e padiskutueshme. Një ndër kryetarët e partive që takoi Ilir Metën është edhe kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Ai ishte sot në Top Talk për të folur për këto zhvillime.

 

Në pjesën e parë të emisionit, Paskal Milo zbuloi detaje nga takimi që partitë e vogla opozitare dhe njëkohësisht PSD patën me presidentin Ilir Meta. Zoti Milo tha se nuk iu është ofruar asnjë datë e re për zgjedhjet dhe se një gjë e tillë as që është kërkuar nga partitë e vogla. Ai tha se Presidenti ishte i shqetësuar për situatën e krijuar.

“Presidenti Ilir Meta na thirri në zyrë për të biseduar rreth shqetësimeve që janë krijuar në lidhje me zgjedhjet vendore; në vijim edhe të dekretit të tij për anulimin e zgjedhjeve. Nuk  është se propozoi ndonjë datë dhe as që na kërkoi ndonjë datë.

Ishte për të ndarë shqetësimin dhe për të krijuar ide e mendime se çfarë mund të bëhet dhe se si mund të gjendet një zgjidhje për daljen nga kjo situatë që është krijuar. Më tepër ishte një takim informues, një takim ku shprehu shqetësimin dhe ne shprehëm shqetësimet tona, por jo se u fokusuam në një çështje konkrete apo në një datë konkrete për tu propozuar.

Meta shpjegon arsyet se pse arriti në atë vendim që mori dhe shpreh shqetësim dhe kërkon nga të gjithë aktorët politikë që të ulen e t’i japin zgjidhje krizës.

Shqipëri është në krizë dhe në krizë nuk duket duke shkuar me kokëfortësi secili, duke  u nisur nga  pozite ekstreme për të realizuar disa objektiva.

Të dyja palët duhet të tërhiqen. Po s’u tërhoqën të dyja palët nga kërkesa të cilat e mbajnë Shqipërinë peng, nuk do të mund të gjendet zgjidhja. Ose do të shkohet në konflikt politik dhe social, që urojmë që të mos shkohet ose pastaj do të ketë një zgjidhej të arsyeshme”, tha Paskal Milo.

 

Më pas kreu i PSD u shpreh se nuk është ndonjë gjë e madhe nëse shkelet Kushtetuta pasi ka ndodhur edhe herë të tjera.

“Nuk është qamet dhe Kushtetuta nuk është se është një letër e paprekshme po nga këta që gjoja qajnë se nuk preket Kushtetuta. Këta e kanë prekur Kushtetutën aq herë sa u ka dashur qejfi. Me vendim politik mund të merret shtyrja e zgjedhjeve, por nga ana tjetër PD nuk duhet të vërë ultimatume absurde dhe ekstreme. Janë ultimatume aq ekstreme saqë  nuk krijojnë klimë për të patur në marrëveshje.

Unë kam frikë se të dyja palët janë duke këmbëngulur në kërkesat e veta në qëllim që të mos ketë një zgjidhje dhe nuk e di se për çfarë interesash vazhdojnë që të këmbëngulin në mënyrë të verbër; ndofta duke u nisur nga ideja se ai që këmbëngul më shumë ai, mund të dalë fitues nesër dhe të dorëzohet pala tjetër. Kjo  është një politik e vjetër, është një politikë  e mykur dhe në një Shqipëri që nga njëra anë përpiqemi që të hapim negociatat me BE-në , këto dy palë me këmbënguljen e tyre, në pozicione ekstreme që po mbajnë, po mbajnë peng integrimin e Shqipërisë , nuk jemi ne”, deklaroi Milo në Top Talk.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA