Wake Up/ Itali, propozim për të mos lejuar pirjen dhe hedhjen e cigareve në plazhe!

11/06/2019 12:47

Italia duket se do të marrë masa të rrepta lidhur me konsumimin e cigareve në plazhe. Shoqata e konsumatorëve, “Codacons”, i ka bërë thirrje të gjitha komunave që të mos lejojnë pushuesit të tymosin cigare nën çadër, pasi jo vetëm dëmtojnë të tjerët por ndotin edhe mjedisin.

Ndërkohë në javët e fundit, Ministria e Mjedisit ka bërë apel të vazhdueshëm lidhur me këtë problem por pa një vendim konkret, pasi shumica e plazheve italiane nuk kanë një tabelë parandaluese për tymosjen e cigares në plazhe.

Shoqata e konsumatorëve thotë se është gati për një betejë ligjore për t’i kërkuar prefektëve që “të urdhërojnë administratat komunale të miratojnë urdhra të posaçëm që ndalojnë pirjen e duhanit dhe hedhjen e bishtave të cigareve në plazh”.

Nëse nuk merren masa urgjente, Codacons “do të denoncojë komunat në ditët e ardhshme për shkak të ndotjes dhe dëmtimit të rëndë të trashëgimisë natyrore”.

Deri më tani vëmendja ndaj plastikës ka qenë e lartë duke e minimizuar atë. Për këtë arsye po insistohet që edhe ndaj cigareve të merren të njëjtat masa. Vitet e fundit vihet re se është shtuar pirja e cigareve në plazhe, duke e kthyer në një fenomen shqetësues.

Top Channel