Vitrina e Librit/ Tadeusz Rozewicz – Përmbledhje poezish

10/06/2019 11:03

Tadeusz Różewicz, i ndarë nga jeta në moshën 92 vjeçare ishte një nga poetët e mëdhenj “dëshmitarë” të Europës, jeta e të cilit ishte e prekur drejtpërdrejt nga ngjarjet sizmike të shekullit të 20-të. Për herë të parë, për lexuesin shqiptar vjen përmbledhja poetike e autorit të shquar polak, nga “Botimet POETEKA”, në bashkëpunim me Institutin Polak të Librit.

Përveç poezive, të qëmtuara me kujdes dhe që përfaqësojnë faza të ndryshme të krijimtarisë së këtij autori, botimi “Tadeusz Rozewicz – Përmbledhje poezish” shoqërohet edhe nga dy tekste që vihen në ndihmë të lexuesit për të komunikuar më mirë me krijimtarinë dhe për të pasur në duar disa çelësa, pa të cilët zor se mund të hysh brenda poezisë së njërit prej poetëve emblemë për shekullin e 20-të. Krijimtaria poetike e Różewicz vjen për lexuesin me shqipërimin e Astrit Beqirajt e Ben Andonit.

Pak fjalë për autorin
Tadeusz Różewicz
Rozewicz u nda nga jeta më 2014-ën, i përket brezit të parë të shkrimtarëve polakë të lindur, pasi Polonia rifitoi pavarësinë, në vitin 1918. Sipas botueses, Silvana Leka, ai mbetet një nga vijuesit më të rëndësishëm të poezisë madhështore polake të shekullit 20-të dhe ndjekës i denjë i rrjedhave letrare ndërkombëtare të avangardës. Emri i tij përmendet shpesh si kandidat për Çmimin Nobel. E nisi krijimtarinë nga viti 1944, duke krijuar 15 vëllime shumë të njohura e të vlerësuara me poezi, të përkthyera në 50 gjuhë të botës. “Ai solli një formë të re poetike dhe ishte gjithashtu mjaft novator në dramaturgji, duke rindërtuar ndjenja e kuptime të tjera mbi jetën në përfundim të tragjedisë së Aushvicit. Sipas Theodor Adorno-s, pas kësaj traume të kryer nga njeriu, zor se kishte më vend për ndjenja delikate, përmendjen vend e pavend të fjalës “humanizëm” dhe thuajse pamundësi për të shkruar ndonjë gjë autentike”, shprehet Leka. Si poet, u rreshtua me ata që shpërfillnin atë çka pjesa më e madhe e njerëzve e mendonin si “poetike”. Ai zgjodhi gjuhë të thjeshtë dhe një teknikë të gjerë moderniste për të kërkuar imazhet e përfundimeve më të errëta. Në këtë kontekst, poezia “tepër të thjeshtë”, e Tadeusz Różewicz-it ka stil prej asketi, me mënyra shprehjeje që mund ta kuptojë edhe fëmija. Për t’i shpëtuar regjimit komunist, Różewicz-i u largua nga Polonia në vitin 1950. Rrëfimi i tij hidhur, por gjithë përulësi i drejtohet “së kaluarës bashkëkohore” dhe ilustron dramat e jetës së sotme. Gjuha e poezive të Tadeusz Różewicz-it përputhet me personalitetin e shpërbërë njerëzor, me gjendjen e njeriut të çliruar, por të humbur mes botës formale e të zvetënuar.

Gërsheti
Pasi të gjithë ngarkesës së grave
ia rruan kokat
katër të ngarkuar me fshesa degë mështeknash
pastrojnë
dhe mbledhin tok flokët
Pas xhamave të pastër
dergjen flokët e kufomave
të mbytur në dhomat e gazit
në këtë floknajë
plot gjilpëra me kokë dhe krehra
Floku nuk goditet përmes dritës
as nuk lëviz dot prej puhisë
s’mund ta prekë ndonjë dorë
as shiu apo buzët
Brenda gjokseve të mëdha
retë e flokëve të thatë
të atyre që u mbytën
qëndron një gërshet i venitur
me një fjongo
tërhequr mbase dikur në shkollë
nga djemtë çapkënë

Muzeu – Oshvjençim, 1948

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA