“Furgoni” mes 11 më të mirëve/ Flet regjisori i filmit pjesëmarrës në festivalin e Kanës

05/06/2019 20:00

Erenik Beqiri, regjisori i cili për herë të parë bëri që një film të shqiptar të jetë pjesë e konkurimit zyrtar për Palmën e Artë në Kanë, i është kthyer rutinës së tij në Shqipëri.

Xhirimit të reklamave për të mbijetuar, krahas filmit. “Furgoni”, filmi me bashkëprodhim shqiptar dhe francez bëri një rrugë të gjatë derisa u bë pjesë e 11 më të mirëve nga gjithë bota që konkurronin në kategorinë e filmave të shkurtër.

“Filmat ishin goxha të fortë, të 11 filmat. Eksperienca ishte shumë e mirë, dhe tani që u ktheva nga Kana jam më shumë duke e kuptuar se çfarë ka ndodhur. më përpara gjithçka ishte shumë e shpejtë, sepse ndodheshe në ambiente të ndryshme dhe informacioni ishte nga të gjitha anët. Ndërsa tani që po kuptoj është një eksperiencë goxha e mirë”, tha regjisori Erenik Beqiri.

Gazetarja e Top Channel e pyeti Beqirin nëse është i kënaqur nga përfundimit.

“Jam shumë i kënaqur përderisa ata më lejuan të bëj filmin që unë doja, që është gjëja më e rëndësishme, por duke parë edhe rrugën e festivaleve, që filloi me Kanën dhe do të jenë edhe disa festivale të tjera. Janë festivale të kategorisë A. Disa janë të konfirmuar dhe po presim zyrtarizimin nga ana e tyre, kështu që filmi do të udhëtojë goxha nëpër festivale të tjera”, tha ai.

Së shpejti filmi do të ketë një projeksion special për publikun shqiptar, prandaj edhe regjisori do ja lerë gjykimin publikut të këtushëm

“Filmi ka njëlloj efekti që në momentin që ti e shikon të bën të kesh një pauzë të gjatë, por do i ngelet vetëm publikut shqiptar që ta gjykojë”, tregoi Beqiri.

Filmi “Furgoni” nuk ka marrë mbështetje nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Përveç produksionit shqiptar, financimi në prodhim ka qenë i  Francës, megjithëse në thelb Beqiri shprehet se ai rrëfen një histori shqiptare.

“Ngjarja është shqiptare, duke qenë që njëra nga temat kryesore është emigrimi. Djali që futet në furgon për të bërë këtë ndeshje, në mënyrë që të fitojë sa më shumë para dhe të ketë mundësinë që të emigrojë ilegalisht”, përfundon regjisori.

 

Top Channel