NGA MONIKA STAFA
Makina rrëshqiti me kujdes në asfaltin e lagur prej një shiu tetori dhe vezullimi i dritave të saj më nxiti shikimin të hidhja sytë lart, drejt tabelave që udhëzonin këdo “makinist” t’i drejtohej qendrës së qytetit.
I isha larguar shkëlqimit berlinez e tani po përpiqesha të risillja në vëmendje për aq sa kisha lexuar se çfarë ishte Nurembergu. Në mendje m’u sollën gjyqet e pas Luftës së Dytë Botërore dhe prokurori amerikan Robert Jackson, i cili u emërua nga presidenti Truman në vitin 1945 për të gjykuar kriminelët nazistë të luftës. Prej këtej, asgjë më shumë për të s’më vinte ndërmend. Nurembergu është qyteti i dytë më i madh pas Mynihut në landin e Bavarisë dhe qyteti më i madh në pjesën frankofone të tij. Shkrimet historike tregojnë se në shekullin e 15-të ai regjstronte rreth 25. 000 banorë dhe ishte më i madhi në hinterlandin gjerman.
Ecja në këmbë një copë rrugë në atë muzg të lagët, ndërsa makina me ngjyrë të errët prej disa minutash më kish përcjellë në adresën ku ishte porositur. Qyteti i vogël dhe kërshëria për të parë tej asaj çfarë vëreja nga xhamat e hijshëm të makinës luksoze, ma hutoi shqisën e ndjesisë për ta falënderuar më gjatë prurësin si ia donte ënda. Sapo isha vendosur në pikën e duhur dhe megjithëse kisha përshkruar një rrugë jo pak të gjatë prej Berlinit, nuk pata asfare dëshirën për të hyrë brenda në dhomë.
Është gjithmonë e rëndësishme për një të ftuar si unë që të vazhdoj të bëjë përshtypje të mirë në pritjen që më ishte rezervuar nga miqtë e tjerë në Nuremberg. Sepse këtu afria do të jetë më ndryshe dhe komunikimi më i drejtpërdrejtë. Nesër këta njerëz të sjellshëm do të më shoqëronin me dëshirë për të parë Nurembergun, një emocion të padurimtë të cilin po e prisja e lumtur si një fëmijë. Ndërsa, në Berlin kisha lënë pas një grup mondan në tërësi dhe një shoqëri të larmishme e interesante, ata që takova në Nuremberg ishin të gjithë gjermanë tipikë në stil dhe qëndrim. Ndërsa në tryeza bisedohej për planet afatshkurtra dhe të mesme të miqve të mi, ndër mend çoja krahasimet mes dy qyteteve gjermane. Nurembergu, ndryshe nga Berlini nuk më dukej se ishte aspak i prekur nga euforia që përfshinte në përgjithësi qytetet në progres të vazhdueshëm. Që këtej nuk ndihej aty asgjë nga mënyrat perverse e të komplikuara që shpikeshin në mënyrë që jeta të shijohej sa më lehtë.
Të nesërmen vesa e shiut më bëri të ndal këmbët që i ndjeja të lehta prej gjumit të gjatë, në një librari të vjetër në mes të qytetit. Prej kundrimit me vëmendje të banorëve, kuptova se thellësisht ata ishin ndryshe nga berlinezët. Këtu nuk do të kisha aspak shpresën për të soditur asnjë epikuran të gëzuar. Përkundrazi, në vend të tyre pashë njerëz të shqetësuar, përgjues dhe të kujdesshëm. Në Nuremberg nuk gjeje çaste veprimi të njerëzve mendjelehtë. Pas një copë here në derën e librarisë vendosa të hyj për të shijuar me sy e prekje, kartolinat dhe librat që gjeta për së pari në vitrinën e saj. Diku në një poster të madh lexova me germa kapitale “Nuremberg”. Pse “Nuremberg” në thonjëza? shqiptova me habi nën zë, duke menduar se cila qe ajo arsye që emri i qytetit të vogël ishte markuar ashtu. Nurembergu nuk është aspak diçka që dikush e tha një herë, dy apo madje edhe më shumë. Përkundrazi, ai është një vend/qytet që ekziston me banorë të vërtetë e që e bëjnë jetën e tyre krejt të vërtetë. I kërkova shpjegim librares dhe ajo më tregoi se këto shenja markuese gjuhësore, tek “Nuremberg” tregojnë se ekziston në vetëdijen e qytetit edhe një formë tjetër e tij, pra një qytet tjetër, një qytet- hije, i cili qysh në krye të herës ka ekzistuar së bashku me qytetin e vërtetë. Prej saj mësova se Nurembergu na ishte një qytet i krijuar prej miteve dhe ëndrrave. Ai jeton njëherësh të qenit metropolitan në llojin e vet duke ruajtur edhe dimensionin e “frymës”, në një formë tjetër. Shpesh kur ecën në rrugët e tij të ngushta diku, e pak më të gjera më sipër të duket se ai është realisht një qytet si gjithë të tjerët. Por e vërteta është se të duhet një shqisë tjetër, tej njerëzores për të kuptuar se Nurembergu nuk jeton i vetëm. Në mbrëmje legjendat dhe mitet, apostujt e shenjtorë ngrihen e flasin për të, në gjuhën e tyre e flitet se ata të sillen rrotull si të ishin të vërtetë. C’përrallë e bukur mendova, një hop. Të zgjohesh mes tingujsh këmbanash e prekje shenjtorësh!
Megjithëse ka vende në botë të cilat shumë kush nga ne ende nuk i ka vizituar, ka gjithmonë një sy tjetër brenda vetes që të bën të ndjesh se diku e dikur ato i ke parë. Nëse dëgjojmë shpesh emra të tillë si; Potsdam, Waimar, Nuremberg, etj., secili nga ne do të parafytyronte imazhe të sakta të një periudhë të caktuar historike. Përveç ekzistencës së tyre të vërtetë fizike, këto qytete mbartin dhe një realitet tjetër, një realitet ëndrrash dhe kujtimesh. Ato vazhdojnë të jetojnë aty nën “frymën” e gjithë epokave që ikin një nga një, të papërshkueshme nga shkatërrimi dhe pa asnjë keqardhje ndaj asaj që botët e reja sjellin në çdo kohë. Dhe kjo është arsyeja përse Nurembergu i lozhave masonike me maestrot e muzikës mesjetare është ende më shumë i gjallë se Nurembergu i sotëm, i famshëm për prodhimin e lodrave për fëmijë dhe për klubet e futbollit. Por sigurisht, ato do të mbeten thellësisht qytete të mbuluara nga misticizmi legjendar.
Kur lexon mbi historinë e ndërtimit të kështjellës së qytetit si dhe portretin psiko-fizik të Albrecht Durer, piktorit, artistit dhe teoricienit të Rilindjes gjermane, atëherë mund të kuptosh ku u gjend ai shpirt i trazuar i Vagnerit për të shkruar atë muzikë të mrekullueshme që ai la pas. Nota muzikore, një kompleks tingujsh që vinin prej lartësisë së shpirtit e që çmendën për një kohë të gjatë Ludvigun e II-të të Bavarisë. Një Nuremberg të cilin po e prekja dhe ai tjetri hije, të cilët ishin aty. Kjo na qenkërka dhe një ndër arsyet përse vizitorët zgjedhin të shkojnë në Nuremberg, ku endja mes reales dhe sureales mbetet një udhëtim fantast i këtij qyteti “nën hije”. Mbrëmja ra e qetë në qytetin me të cilin ëndrrat nuk jetoheshin të trazuara. Ndaj dhe gjumi, mbrëmjen e dytë më solli arratisjen tej liqeneve gjermanikë, të cilët më erdhën kaq të panumërt para syve, sa rrezja e bardhë e mëngjesit të vonë më bindi të zbuloja sa gjatë kisha fluturuar. Një ditë e bukur pa diell në vazhdim, më priste sakaq.
E sjellura e ngadaltë e cicerones më kish bërë të mendoj në atë çfarë kisha mundur të përthithja prej qytetit. Një mik i imi më kish ndalur me habi tek ajo çfarë i kish ndodhur Nurembergut në tërësi. Shiko, kish vazhduar mburrjen e tij me qytetin e huaj, një qytet i tërë që shembet kohë pas kohe dhe që rindërtohet ashtu si ishte, tullë për tullë. Më thuaj, ndonjë qytet tjetër në botë me të cilin mund ta krahasosh me Nurembergun në këtë qasje riprojektimi, kish vecuar ai. Sigurisht, mendova nën zë, shqetësim kryebashkiaku, i drejtë dhe i ndershëm mjaftueshëm për aq sa ia njoh përkushtimin për detyrën që ka marrë përsipër ta kryejë. Por, historia është kaq e ndryshme me atë çfarë ndodh realisht me Tiranën tonë. Schonner Brunen (Burimi i Bukur), p.sh., në sheshin e qytetit të vjetër është thjesht një kopje e origjinalit, mbetjet e të cilit sot janë vendosur në Muzeun Kombëtar Gjerman. Në shekullin e 19-të, projektuesit e qytetit u mblodhën qëllimisht në përpjekje e sipër, për t’i ruajtur dhe shtuar vlerat historike e mesjetare të qytetit, për ta bërë Nurembergun si ishte më parë. Nuk është rastësi gjithë ky rrezatim i ëndërrt i Nurembergut nga turistët e huaj.
Është një proces i tërë mendimi i kalkuluar deri në detaj për ta zbukuruar dhe ushqyer “frymën” e shenjtë që ai trashëgon nga e kaluara. Kjo duket të jetë tërësisht e vërtetë, nisur edhe nga një fakt tjetër kur në Nuremberg, në vitin e largët 1945 pothuajse i gjithë qyteti i vjetër u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ai i sotmi u ndërtua pas luftës. Sot ai që ne shohim është një Nuremberg i ri. Dhe kjo është arsyeja përse qendra e qytetit quhet ende “Atlstadt”, qyteti i vjetër. Historia e shenjtë e tij e fshehur mes portave të vjetra rrëfen se Nurembergu ishte parashikuar të shkatërrohej. Studiuesit shkruajnë se rindërtimi i tij pas luftës ishte një “testament” i këmbënguljes për ta mbajtur ndezur ëndrrën e këtij qyteti. Pjesa fizike dhe e vërtetë shtrihet nën rrënoja, por ëndrra e tij fshihet sipër në “frymën” dhe nënvetëdijen banorëve që jetojnë aty, ata të vërtetët. Mendimet për Nurembergun e mesit të shek. të 20-të me nazistët nga njëra anë dhe aleatët fitues nga ana tjetër e kishin fshirë thuajse prej kujtesës europiane pamjen romantike të qytetit. Gjatë dy shekujve të fundmë, ai ishte një nga qytetet më të spikatura dhe më të fuqishme të tokës mitike gjermane që u rrit nën dallgët e fuqishme të ndërrimit të epokave, në ndryshim të gjithëhershëm, gjithmonë në marrëdhënie të vazhdueshme me qytetet e tjera dhe mitet e tyre. E që këtej ato ecën të përbashkuar me kombin gjerman si një e tërë. Që këndej e ka zanafillën edhe miti i Nurembergut, si qyteti që zhvilloi e forcoi nacionalizmin tek populli gjerman. Frojdi e cilësonte shpesh në shkrimet e tij drejtuar elitave të kohës se të studioje psikoanalizën e gjermanëve duhet të nisje hulumtoje dy Nurembergët. “Vështrimi im mbi Nurembergun, shpjegonte ai, është një përpjekje për të portretizuar ‘frymën’ gjermane dhe evoluimin e saj”. Ndaj dhe në mendje më rrotulloheshin përgjigjet mbi atë, se përse në pjesën më të madhe të historisë së saj Gjermania nuk ka pasur një kryeqytet të përhershëm; nuk ka pasur një metropol ku të përqendroheshin të gjitha pushtetet; ai ekonomik, kulturor apo dhe politik. Franca kish Parisin; Anglia pati Londrën; ndërsa Gjermania nuk kish asnjë të këtij lloji. Berlini është relativisht një qytet i ri dhe për pjesën më të madhe të historisë, ai nuk i ka gëzuar funksionet e plota të një kryeqyteti me meritë. Madje edhe në 1991, Bundestagu gjerman me shumë zor vendosi të bëjë Berlinin, qendrën e administratës shtetërore, vetëm atëherë kur të dyja Gjermanitë u bashkuan në rrafshin kombëtar. Pothuajse gjysma e përfaqësuesve të parlamentit gjerman, të cilët votuan më 20 qershor të atij viti donin që ta mbanin qeverinë dhe administratën e saj në Bon, qytetin e vogël universitar që thirrej me tallje nga vetë gjermanët me nofkën “Bundeshauptdorf”, (kryefshati i federatës). Historia e Gjermanisë është një histori gare dhe konkurrence frymëzuese mes rajonesh e qytetesh; është një histori e shumicës dhe jo e pakicës. Dhe pikërisht kjo lloj historie, prej një shumice ku spikat mentaliteti krahinor gjerman përfaqësohet më mirë në Nuremberg sesa në Berlin. Sociologu gjerman, Ralf Dahrendorf nuk gabon kur shkruan se, “Gjermania nuk është përqendruar në një kryeqytet të vetëm” dhe se “Republika Federale jeton në qytetet e saj të vogla” dhe jo në Berlin. E ndoshta për këtë arsye, gjermanët kanë pranuar një vend si Nurembergu të përfaqësojë Gjermaninë e vërtetë më shumë madje sesa vetë Berlini. Sepse edhe në provincializmin e vet, Nurembergu mbetet një përfaqësues i denjë i vetes. Ndaj çdokush që mundohet të përfytyrojë diçka të fundme prej udhëtimit të tij, do të duhet të mendojë se nuk mund të ketë një histori që varet nga vendi e po aq, nuk ka asnjë vend që varet nga historia e tij. Sepse të dyja këto koncepte mbeten thellësisht të ndërthurura pazgjithshmërisht me njëra-tjetrën. Dhe Nurembergu me “Nurembergun” mistik, janë modeli më i bukur i këtij shpjegimi.
Top Channel