Fiks Fare/ Familja në qiell të hapur nga shembja e shtëpisë, bashkia Pogradec u jep vetëm 100 mijë lekë

28/05/2019 20:49

Familja e Ismail Maxharrit, në fshatin Gurras të Pogradecit prej 10 muajsh është në qiell të hapur. Shtëpia i është shembur si pasojë e shpërthimeve që ka bërë në vite një gurore e cila ndodhej shumë pranë banesave të fshatit dhe liqenit.

Sot gurorja është mbyllur, por askush nuk mbajti përgjegjësi për dëmet që ajo shkaktoi, as ata që i dhanë leje gurores.

Bashkia e Pogradecit ngre supet dhe thotë se qytetari e ka kapur shumë vonë problemin, ndërkohë që gurorja ka vite që ka punuar në atë zonë dhe janë ndërruar shumë pronarë, ndaj kjo e fundit nuk di kë të bëjë me faj.

E vetmja zgjidhje që Bashkia e Pogradecit jep është një fond 100 mijë lekë të reja , ndërkohë që familja Maxhari ka mbetur pa shtëpi.

Fiks Fare pa nga afër kushtet në të cilën ishte shtëpia e familjes Maxharri dhe ajo pothuajse është shembur e gjitha duke u bërë e pabanueshme.

Burrë e grua bëjnë apel në emisionit Fiks Fare për ndihmë, pasi janë në qiell të hapur. Të ardhurat e vetme që ka familja janë pensionet e bashkëshortëve Maxharri të cilat kapin vlerën e 20 mijë lekëve në muaj. Prej 10 muajsh ata janë shpërngulur në Pogradec ku një i afërm i tyre u ka liruar një banesë deri në një zgjidhje të afërt.

E zonja e shtëpisë tregon se në momentin kur shtëpia është shembur ajo ka qenë brenda saj dhe vetëm ka ndjerë një zhurmë të madhe e direkt ka vrapuar jashtë për të shpëtuar kokën. Me lot në sy ajo tregon se bashkë me shtëpinë iu shemb edhe jeta , pasi tani nuk dinë se ku të fusin kokën.

Në momentin që shtëpia është shembur grupi i specialistëve të Emergjencave Civile bënë verifikimet në vend , por që nuk mund t’i ndihmonin pasi VKM-ja nuk përfshin rastin e shtëpisë së z. Maxharri.

Në Bashkinë e Pogradecit ku u interesuan gazetarët e Fiksit inxhinieri i Emergjencave Civile , Avni Myrte shprehet se janë njohur me rastin , madje ai shpreh edhe keqardhje për familjen , por që bashkia nuk ka fonde për t’i ndihmuar. E vetmja zgjidhje që kishin gjetur ishte akordimi i 100 mijë lekëve të reja për të mbuluar qiranë e disa muajve deri në një zgjidhje.

“ Kjo familje nuk përfiton dëmshpërblim, pasi në baze të ligjit për emergjencat civile, shtëpia nuk është shembur si rezultat i rënies së zjarrit apo nga tërmetet” shprehet inxhinieri Myrte. Ai gjithashtu shton se janë duke u përpjekur të ndihmojnë këtë familje me anë të shoqatave humanitare, por që deri më sot pas 10 muajve ende nuk është bërë asgjë, përveç shifrës simbolike prej 100 mijë lekësh dhënë nga Bashkia Pogradec.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA