Aksioni i disa njësive policore, përfshirë Forcat Speciale, për arrestimin e disa personave që dyshohet se merren me kontrabandë në Zubin Potok dhe në pjesë të tjera të Veriut të Kosovës, ka marrë përmasa dramatike.

Një polic ka mbetur i plagosur me plumb pas shpine, ndërsa 3 të tjerë kanë lëndime të lehta. Me të mësuar se ç’po ndodhte, strukturat paralele kanë aktivizuar alarmin dhe ka filluar grumbullimi i serbëve, që kundërshtuan policinë duke ngritur barrikada nëpër rrugë.

  Aksioni në veri të Kosovës: Presidenti Thaçi mbledh krerët e sigurisë

Edhe pse shifrat janë të pakonfirmuara, flitet për gati 30 persona të prangosur, mes të cilëve ka shqiptarë, serbë e boshnjakë. Pavarësisht këtij fakti, megjithatë, episodi ka ngjallur zemëratën e banorëve serbë të 4 komunave veriore me shumicë serbe, për të cilat shtypi në Beograd pretendon se janë vënë qëllimisht në shënjestër.

  Kosovë, KMDLNJ: Tre policë të plagosur, 30 të arrestuar. Dënojmë dhunën

Policia e Kosovës e sqaroi se të ndaluarit janë të dyshuar për përfshirje në disa vepra penale, si “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “kontrabandim me mallra”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit”, “tregti e ndaluar”, e të tjera.

  Policia e Kosovës: Operacion kundër krimit, qytetarët të mos bien prè e provokimeve

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mos bien prè e provokimeve. Operacioni policor po vazhdon pavarësisht rezistencës së armatosur në veri të Mitrovicës.

  Patrullime me helikopter në Mitrovicë e Zubin Potok, KFOR-i stacionohet në Vushtrri (Foto)

Kryeministri Ramush Haradinaj sqaroi përmes një postimi në Facebook se, në mesin e personave të ndaluar ka zyrtarë doganorë, policë, por edhe qytetarë të thjeshtë. “Si kryeministër i vendit konfirmoj se bëhet fjalë për zbatim të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin”, është shprehur ai.

  Ndërhyrja e policisë në veri të Kosovës, Vuçiç urdhëron vendosjen e ushtrisë në gjendje gatishmërie

Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç citohet të ketë thënë se, nëse ndërkombëtarët nuk e ndalojnë atë që po ndodh në veri të Kosovës, Beogradi do të kundërpërgjigjet, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiç ka urdhëruar ushtrinë dhe policinë të vihen në gjendje gatishmërie.

Top Channel