Policia e Kosovës vijon të informojë publikun përmes komunikatave të vazhdueshme për mediet, mbi operacionin që po zhvillohet në rajonet e veriut të Kosovës.

“Operacioni policor, i cili po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj dhe Drenas, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme, si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar”, thuhet në komunikatë.

  Patrullime me helikopter në Mitrovicë e Zubin Potok, KFOR-i stacionohet në Vushtrri (Foto)

Teksa thekson se ka hasur rezistencë të armatosur në veri të Mitrovicës gjatë kryerjes së detyrës së saj, Policia e Kosovës thekson se “ka hasur edhe në disa bllokada nëpër rrugë, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, për të cilat është detyruar të përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve që të vazhdojë operacioni policor”.

  Aksion në veri të Kosovës, plagoset një polic. Mes të arrestuarve, policë serbë

Si pasojë e pengesave të krijuara dhe pengimit të veprimeve policore në terren, nga ana e disa qytetarëve në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacionin policor edhe disa qytetarë të përfshirë në këto raste.

“Institucionet përkatëse iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien prè e provokimeve të ndryshme, pasi ky operacion policor ka për qëllim luftën kundër krimit dhe është në interes të të gjithë qytetarëve dhe vendit”, njofton policia.

Top Channel