Kombëtarja Shpresa ka filluar përgatitjet për ndeshjen kundër Turuqisë, që do të luajë në Stamboll në datën 7 qershor. Kuqezintjë e drejtuar nga Alban Bushi kanë zhvilluar dy ndeshje deri më tani për kualifikueset e Europianit, teksa me Andorrën barazuan 2-2 në trasnfertë dhe u mundën 2-1 nga Turqia, në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena” në muajin mars.

Në konferencën e parë për shtyp, Aristidi Kolaj, lojtar i ekipit U19 të Sassuolos, shprehet optimist dhe me objektiv vetëm fitoren ndaj Turqisë.

“Ne jemi një skuadër kombëtare shumë e bashkuar dhe po shkojmë në ndeshjen e Turqisë për të marrë një fitore. Në Itali luaj me ekipin e Sassuolos U19, kam bërë mirë në kampionat dhe për t’u stërvitur stërvitem me ekipin A. Jam grumbulluar edhe për ndeshje miqësore të kombëtares dhe jam ambientuar me shokët e ekipit”, tha Aristidi Kolaj, futbollist i Kombëtares U21.

Nëse Aristidi nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare me ekipin kombëtar kuqezi, Kleandro Lleshi, pjesë e Leganes B në kampionatin spanjoll, vjen nga ekipi kombëtar U19. Madje, përpara se të grumbullohej nga trajneri Alban Bushi, ai ishte pjesë e zborit të pjesshëm të Edi Rejas, trajnerit të Kombëtares A, një eksperiencë për të cilën shprehet mjaft i kënaqur.

“Mikpritja e grupit ishte shumë e mirë, u ndieva shumë komod. Të gjithë ishin me dëshirë dhe lojtarët shumë pozitivë. Sa i përket aktivizimit i përket trajnerit, unë kam për detyrë të stërvitem dhe të kryej detyrat që më takojnë, të tjerat ia lëmë kohës. Çdo gjë vjen me kohën, duke dhënë maksimumin tënd në çdo hap. Për ne, ndeshja me Turqinë është shumë e rëndësishme, pasi duhet të marrim rezultat. Kjo vjen për arsye se kemi luajtur dy ndeshje në këto kualifikuese dhe nuk kemi marrë atë që duhet sa i përket rezultatit. Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme dhe shkojmë për fitore, pavarësisht kundërshtarit. Futbolli luhet 11 ndaj 11, ne kemi dhënë maksimumin, por nuk kemi pasur fatin me vete. Për momentin luaj me Leganes B, por kontratën e kam me ekipin A, shpresoj shumë shpejt t’i bashkohem, por është zgjedhje e trajnerit”, tha Kleandro Lleshi, futbollist i Kombëtares U21.

Ndeshja mes Turqisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet në Stamboll më 7 qershor, ndërkohë që pas saj, kuqezinjtë e vegjël do të luajnë dy ndeshje miqësore në Shqipëri me Uellsin, në datat 9 dhe 11 qershor.

Top Channel