Zvicra, një prej vendeve me më shumë armatime në Europë, ka votuar gjatë një referendumi të së dielës për të kufizuar kontrollin e armëve e për të qenë në përputhje me ligjet strikte të Bashkimit Europian mbi armët.
Edhe pse nuk është vend anëtar i Bashkimit Europian, Zvicra është pjesë e zonës “Schengen”, një zonë që mund të vizitohet pa pasur nevojën e një vize apo pasaporte nga shtetas të 26 vendeve të BE-së.
Pas sulmeve terroriste të Parisit dhe Brukselit në vitet 2015-2016, Bashkimi Europian forcoi rregulloren mbi armët, të njohur si “Ndalimi i armëve në BE”, e inkurajoi edhe Zvicrën që t’iu përmbahej ligjeve të tij.
Projeksionet e para që vijnë nga Zvicra tregojnë se referendumi, i cili është detyrues, ka kaluar në favor të kufizimit të armëve me një raport 67 për qind pro dhe 33 kundër. Nëse Zvicra do të refuzonte të miratonte këto kufizime, atëherë vendi rrezikonte të përjashtohej nga zona “Schengen”.
Por, cilat janë ligjet aktuale të armëve në Zvicër dhe si do t’i ndryshojë ato referendumi i së dielës? Ligjet mbi armët në Zvicër konsiderohen si liberale, thuajse në mënyrë të ngjashme me politikën e armëve që ndjekin edhe Shtetet e Bashkuara, ndryshe nga ato të Bashkimit Europian.
Vendi lejon blerjen e lirë të armëve gjysmëautomatike, por për armë automatike, lazera etj., nevojitet leje e posaçme. Për të blerë një armë, blerësi duhet të sigurojë fillimisht lejen për blerjen e armës me një kartë identiteti të vlefshme, adresë rezidenciale dhe një vërtetim të rekordit kriminal jo më të vjetër sesa 3 muaj.
Shtetasve zviceranë dhe të huajve që kanë leje qëndrimi “C” me moshë mbi 18 vjeç, të cilët nuk konsiderohen si kërcënim, mund të kërkojnë gjithashtu leje. Gjithsesi, shtetasit e huaj me nënshtetësi të Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Turqisë, Sri Lankës, Algjerisë dhe Shqipërisë janë të përjashtur nga e drejta për të zotëruar armë në Zvicër.
Top Channel