Java e 34 e Superligës do të jetë më e qetë sa i përket kreut, me titullin kampion të përfunduar, por më e ndezur për zonat kupave të Europës dhe mbijetesën, ku Tirana ndeshet me kundërshtarin e drejtpërdrejtë Kastriotin në kryeqytet, pa tifozë, por me një ndeshje që do t’i mjaftojë mos të humbasë për të qëndruar mbi krutanët në klasifikim.
Për këtë ndeshje bardheblutë i kanë kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit edhe një arbitër të huaj, por që FSHF pasi ka kontaktuar disa alternativa mbetet në pritje të konfirmimit. Ndërkohë Partizani kampion i Shqipërisë tashmë do të udhëtojë drejt Durrësit për të luajtur me Teutën që është në garë për një vend në Europë.
Ndërsa në Kamëz, Kukësi do të presë Skënderbeun. Verilindorët me synimin për të ruajtur vendin e dytë, ndërsa korçarët për të konsoliduar mesin e renditjes.
Një tjetër duel për zonën europiane është ai në Vlorë mes Flamurtarit dhe Laçit, një përballje direkte jo për vendin e katërt në renditje.
Skuadra e cila ka përfituar nga 3-pikëshi në tavolinë i Kamzës në këtë fundjavë është Luftëtari, një frymëmarrje kjo për gjirokastritët që ndodhen në periudhë kaosi me pezullime e në garë mbijetese.
Top Channel