Një rikthim i dashur për tifozët si Isco, një surprizë e këndshme si emri i Cazorlas në listë dhe një mungesë e bujshme: pikërisht ajo që nuk pritej, trajneri Luis Enrique.
Ndërsa Federata spanjolle e Futbollit zyrtarizoi emrat për dy ndeshjet kualifikuese të Europianit 2020 ndaj Ishujve Faroe dhe Suedisë, në qershor, është kthyer në mister mungesa e trajnerit.
Luis Enrique nuk do të jetë në stolin e formacionit “La Roja” më 7 dhe 10 qershor, kjo për motive personale. Trajneri nga Asturia nuk ka bërë të ditur arsyet që do ta mbajnë larg kombëtares spanjolle, ndërsa drejtimi i ekipit i është besuar zëvendësit të tij, Roberto Moreno.
Nëse Luis Enrique nuk vendos të japë dorëheqjen nga pankina e përfaqësueses, rikthimi i tij do të bëhet i mundur vetëm në muajin shtator, kur Spanja të luajë me Rumaninë dhe Ishujt Faroe. Stafi ka bërë të ditur se zgjedhjet e fundit të futbollistëve janë bërë nga Luis Enrique, por vet protagonisti nuk ka folur ende duke shtuar zërat për largimin.
Në Spanjë, ndërkohë, kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e kandidatëve zëvendësues. I pari është Abelardo Fernandez, që pak kohë më parë drejtoi Alavesin.
Lista e plotë e Spanjës:
Portierë: David de Gea (Manchester United), Kepa Arrizabalaga (Chelsea), Pau Lopez (Real Betis).
Mbrojtës: Dani Carvajal (Real Madrid), Sergio Ramos (Real Madrid), Mario Hermoso (Espanyol), Diego Llorente (Real Sociedad), Inigo Martinez (Athletic Bilbao), Jordi Alba (Barcelona), Sergi Roberto (Barcelona), Jose Gaya (Valencia), Jesus Navas (Sevilla).
Mesfushorë: Sergio Busquets (Barcelona), Rodrigo Hernandez (Atletico Madrid), Dani Parejo (Valencia), Isco (Real Madrid), Fabian Ruiz (Napoli), Santi Cazorla (Villarreal).
Sulmues: Mikel Oyarzabal (Real Sociedad), Rodrigo Moreno (Valencia), Marco Asensio (Real Madrid), Iago Aspas (Celta), Alvaro Morata (Atletico Madrid).
Top Channel