Kur kanë kaluar 8 vite nga aksioni që solli vrasjen e njeriut më të kërkuar të globit, zbulohen detaje të tjera nga jeta e Osama Bin Laden.
Këtë mesjavë, në një gjykatë angleze u dëshmua sesi familja e ish-kreut të “Al Qaeda”-s kishte investuar edhe në futboll, në një skuadër të njohur si Sheffield United.
Skuadra, që kohët e fundit është përfshirë në polemika ligjore dhe seanca pa fund mes dy pronarëve, është ndihmuar me të paktën 3 milionë paund nga familja e Osama Bin Laden.
Investimi i dyshimtë është në një dosje të klubit të pagëzuar me emrin “Projekti Delta”.
Gazeta britanike “Sheffield Star” nënvizoi se skuadra e dinte se nga vinin paratë e dyshimta për mbijetesën, por sërish i pranoi.
Sheffied United është përfshirë në kohët e fundit në një betejë ligjore mes Kevin McCabe dhe Princit saudit, Abdulaziz Al Saud. Të dy kanë 50% të aksioneve në klubin, që sezonin e ardhshëm do të jetë në elitën e futbollit anglez, pasi ka fituar të drejtën të luajë në Premier League.
Por, investimi i dyshimtë i familjes së terroristit shton problemet në ekipin ishullor. Osama Bin Laden u vra në një aksion nga forcat amerikane “Navy SEAL”-s në vitin 2011, në Pakistan.
Top Channel