
Me një rekord të ri që pritet për një vepër të Lee Krasner, e një tjetër i mundshëm për një punim të Helen Frankenthaler, oreksi për piktorët abstraktë femra dhe artistet femra në përgjithësi po rritet shpejt, ndërkohë që Nju Jorku përgatitet të hapë siparin e sezonit pranveror të ankandeve të hënën më 13 maj.
Sipas drejtuesit të shtëpisë së ankandeve “Christie’s”, një prej më kryesoreve në Nju Jork, interesi për punën e artisteve femra është sot më i dukshëm sesa kurrë.
“Ka shumë koleksionistë që iu kushtojnë vëmendje artisteve femra dhe duan të fokusohen tek ato. Gjithnjë ka qenë kështu, por tani interesi është dukshëm më i madh”, tha Alexander Rotter, drejtues i “Christie’s”.
Edhe për shtëpinë tjetër të ankandeve, “Sotheby’s”, po vihet re një përmbysje e madhe në treg me interes të shtuar tek artistet femra. “Muzetë dhe koleksionistët privatë po shohin punën e tyre me një sy më kritik”, thotë David Galperin nga “Sotheby’s”, e kjo është shoqëruar me një rritje të kërkesës për veprat e tyre.
Top Channel