Kampionati gjerman i futbollit po ul siparin e një nga sezoneve më emocionues në dekadën e fundit, dhe kush priste suksesin e Bajernit që këtë fundjavë u zhgënjye.
Skuadra bavareze nuk arriti dot të festojë titullin e 7 radhazi, pasi këtë do ta diskutojë në javën e fundit.
Bajerni u ndal nga një barazim pa gola në fushën e Lajpcigut që e mbajti dy pikë më shumë se Borusia e Dortmundit në vendin e dytë, por sërish jo kampion. Në kronikën e ndeshjes në “Red Bull Arena” ndikoi dukshëm një episod me sistemin VAR që anuloi një gol të Goretzka në minutën e 51.
Borusia nga ana e saj nuk gaboi në shtëpi kundër Fortunës së Dyseldorfit duke u imponuar 3-2. Me mbështetjen e një armate elektrizuese të tifozëve me ngjyrat verdhezi, vendasit arritën të fitojnë me golat e talentit Christian Pulisic, me Delaney dhe rrjetën e sulmuesit Mario Gotze. Ndeshja me 1000 emocione regjistroi dhe dështimin e bujshëm të Fortunës me penalltinë e Lukebakio. Tani për të vendosur Maistershalen do të duhet të presim edhe një javë kur fati i dy pretendentëve të kryqëzohet me Ajntrahtin e Frankfurtit dhe Borusia Mynshengladbah.
Të dyja janë kandidate për një vend në Ligën e Kampioneve. Ajntrahti do luajë në Alianz Arena me Bajern dhe tjetra do sfidojë Dortmundin mes mureve të shtëpisë.
Top Channel