Ka koncerte normale, por ka edhe koncerte epike. Ai i “Metallica” në Milano hynte padyshim te kategoria e dytë.
Plot 47 mijë vetë u mblodhën pavarësisht shiut të dendur, për një mbrëmje të rrallë – siç përshkruhet edhe nga mediet vendase, – e cila solli edhe një simbiozë të jashtëzakonshme mes grupit dhe publikut.
“Metallica”-t e ngritën në këmbë Hipodromin e Milanos, e shiu ishte një element mjaft i veçantë në këtë rast.
“Reshje të tilla nuk ishin parë që nga koha e Bruce Springsteen në vitin 2003 në ‘San Siro’”, thotë “Corriere della Sera”.
“Ata që ishin të pranishëm atëherë, – vazhdon e përditëshmja prestigjioze italiane, – sot e thonë me krenari: ‘Unë kam qenë në atë stadium!’”.
Katër “kavaljerët” e metalit, siç i quan ajo pjesëtarët e “Metallica”, e elektrizuan publikun me stuhinë e tingujve të tyre. Njerëzit këndonin e hidheshin përpjetë të përfshire nga euforia.
Grupi dha maksimumin në skenë, – vazhdon “Corriere”, – me këngë si “One”, “Master of Puppets”, “For Whom the Bell Tolls” dhe “Creeping Death”, ndërsa për bis kishin lënë me shumë zgjuarsi himnin e tyre të padiskutueshëm “Nothing Else Matters”.
Top Channel