“Top Talent 2” nis transmetimin premierë sonte në orën 21:00 në Top Channel. Show vjen në prezantimin e Eneda Tarifës.

Anëtarët e jurisë së sezonit të dytë që do të vlerësojnë konkurrentët janë: Eno Popi, Salsano Rrapi, Bieta Sulo, Muhamed Veliu, Elona Duro.

Produksioni ka nisur prej muajit janar realizimin e një show ku do të ketë shumë spektakël, emocione, humor, të rinj të talentuar që sjellin idetë e tyre. Pjesë e show-t do të jenë dhe të ftuar personazhe publik nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të cilët do të intervistohen nga konkurrentët dhe do të jenë pjesë e show-t.

Në kanalin e Top Channel në Youtube do të mund të ndiqni në livestream paralelisht me show-n Top Talent Backstage nën prezantimin e Xhesika Mucaj. Emocionet para dhe pas konkurrimit të secilit konkurrent në Top Talent Backstage.

Tre janë kategoritë e konkurrimit : Gazetar, Prezantues, Interpretues. Katër javët e para do të jenë prezantimi i konkurrentëve përpara jurisë, me pas faza çerek finale e cila do të jetë në 3 mbrëmje në të cilën konkurrentet do të sjellin materialet e tyre të regjistruara e të përgatitura në Top Channel.

Në fazën gjysmëfinale, e cila do të jetë në 2 mbrëmje konkurrentët do të konkurrojnë me materiale që do t’ia përcaktojë juria. Konkurrentët që do të kualifikohen në mbrëmjen finale do të kenë mundësi të jenë fitues i një çmimi në vlerë monetare, si dhe të realizojnë ëndrrën e tyre për të qenë pjesë e Top Channel.

Pjesë e show-t në këtë sezon do të jetë edhe publiku në sallë, i cili do të ketë mundësi të votojë konkurrentin e preferuar për t’a kaluar në fazën tjetër të konkurrimit nëse konkurrenti nuk do të sigurojë shumicën e votave të jurisë.

Autore e Top Talent është Ledja Liku, regjisor i show-t Redi Treni, skenarist Olsi Çala, dhe kryeredaktor Andi Pinari, skenografia vjen nga Fatmir Minga.

“Top Talent” është një mundësi për të gjithë gazetarët dhe prezantuesit e rinj, që synojnë të jenë pjesë e televizionit, por edhe për të gjithë interpretuesit në zhanera të ndryshëm.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel