Industria e teknologjisë është pllakosur prej kohësh nga probleme të lidhura me diversitetin dhe përfshirjen, por një njoftim për punë i kohëve të fundit, ku theksohej preferenca për aplikantët kaukazianë, është kthyer në dëshminë më të fundit të këtij fenomeni.

Firma rekrutuese teknologjike “Cynet Systems”, me seli në Virginia, kërkonte një menaxher llogarie, i cili të kishte sigurisht një eksperiencë të kënaqshme teknike, por ku nënvizohej edhe kriteri i racës.

Reagimet nuk vonuan të shpërthejnë, të nxitura nga disa përdorues të “Twitter”-it që tërhoqën të parët vëmendjen te lista polemizuese e kërkesave të kompanisë për punësim.

“Cynet” u detyrua në fund të kërkonte ndjesë, duke u shprehur në apologjinë e saj se individët e përfshirë në këtë episod janë pushuar nga puna dhe se kjo që ndodhi nuk reflekton “dy vlera thelbësore të saj, përfshirjen dhe barazinë”.

“E kuptojmë shqetësimin që mund të ketë shkaktuar një njoftim i tillë, sepse edhe ne vet u nervozuam kur e pamë”, tha shefi ekzekutiv (CEO) i kompanisë, Ashwani Mayur.

Ky nuk është megjithatë i vetmi njoftim që e ka vendosur firmën në fjalë përballë kritikave për diskriminim. Një tjetër kërkesë e “Cynet”, për menaxher të një firme në Virginia, e nënvizonte që kandidatët të ishin vetëm femra.

Top Channel