Pushimet luksoze, rrobat e stilistëve dhe restorantet e shtresave të larta i përkasin të shkuarës, por mashtruesja që tani pret të bëjë deri në 15 vite burg, ka firmosur që jeta e saj të bëhet libër dhe film në Netflix. Dhe kontratën për librin e firmosi një prej personave që ishte mashtruar prej saj.

Vajza e një shoferi kamioni, e quajtur Ana Sorokin, shkoi në Nju Jork dhe u hoq si trashëgimtare miliardere gjermane, që kishte dëshirë të hapte një galeri arti 40 milionë dollarëshe në një prej rrugëve më ekskluzive të qytetit. Dhe kaq mjaftoi që hotele luksoze, restorante, banka, stilistë e drejtues revistash t’i hapin dyert e ta bëjnë shoqe për një kohë të gjatë.

Ajo u shpall fajtore në gjykatë për mashtrimin e kompanive që ofronin fluturime private, për një dëm prej rreth 200 mijë dollarësh.

Teksa shtirej si e pasur, një shoqe e re nga elita e Nju Jorkut i kishte paguar një udhëtim luksoz në Marok, prej 60 mijë dollarësh. Veç kësaj, mashtruesja 28 vjeçare po përpiqej të merrte një hua prej 22 milionë dollarësh nga bankat.

Sado që gjykata e shpall fajtore, ajo mund të quhet një viktimë e epokës së Instagramit, që gjithashtu vërtetoi se gjërat sipërfaqësore, si veshjet prej stilistësh dhe sjellja prej pasanikeje, është ajo që vazhdon të të hapë dyert në shoqërinë e lartë.

“Shtiru derisa të kesh sukses, kjo është ajo që kuptoi Ana nga kjo shoqëri, dhe u përshtat”, e justifikoi avokati i saj mbrojtës në gjyq. Dhe shtoi: “Nuk mund të quhet mashtrim, sepse pasi të merrte fondet e të kishte sukses me planet e saj, Ana do t’i paguante të gjithë. Ajo thjesht i bëri njerëzit të besonin atë që kishin dëshirë të besonin”.

Por prokurorët nuk ishin dakord. Ata përmendën se si Ana ishte angazhuar plotësisht me mashtrimin, duke krijuar llogari të rreme bankare, dokumente të rreme, etj.

Ana Sorokin me Giudo Cacciatori, Gro Curtis dhe Giorgia Tordini te “Tumblr Fashion Honor” e vitit 2014, duke u hequr si trashëgimtare gjermane.

Ana është në fakt vajza e një shoferi kamioni, emigrant rus në Gjermani. Që aty ajo kishte udhëtuar në Paris, ku kishte fituar një vend si stazhiere në revistën “Purple”, post që e kishte përdorur për t’u katapultuar në Nju Jork, në vitin 2014, e veshur me rroba “Gucci” dhe “Yves Saint Lorent”, ku arriti të jetojë në hotele luksoze e të dalë me shoqërinë më të lartë për shumë kohë.

Gruaja që i pagoi pushimet 60 mijë dollarëshe në Marok, një punonjëse e lartë te “Vanity Fair”, nuk do të marrë dot dëmshpërblim për paratë e humbura, por ka firmosur një kontratë për një libër dhe për një film me Netflix.

 

FOTO GALERI
1/11
Rejçëll Uilliams, Redaktorja e fotove të Vanity Fair, ishte shoqja e ngushtë e “pasanikes” Ana në Nju Jork. Ajo thotë që dilnin nëpër restorante e hotele të shtrenjta, dhe Ana e ftoi për pushime luksoze në Marakesh. Atje shpenzonin shumë, por në fund Ana gjente një justifikim për të mos paguar, dhe Rejçell Uilliams përfundoi duke paguar një faturë prej 60 mijë dollarësh.

Top Channel