Më shumë se 270 punonjës zgjedhorë kanë humbur jetën nga probleme të lidhura me mbingarkesën në punë, në vendin e konsideruar me demokracinë e tretë më të madhe në botë, që mbajti votimet më herët gjatë këtij muaji.

Deri natën e vonë të së shtunës, 272 zyrtarë zgjedhorë kishin ndërruar jetë dhe 1.878 të tjerë kanë shfaqur simptoma sëmundjesh, pasi ndihmuan të administronin zgjedhjet më të mëdha njëditore të botës, më 17 prill.

Në zgjedhjet e Indonezisë ishin përfshirë 6 milionë punonjës elektoralë në total, duke u futur kështu në histori si një prej proceseve zgjedhore më të komplikuara njëditore të botës.

CNN, që raporton ngjarjen, nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e bëra nga zyrtarë zgjedhorë në vend.

Kjo ishte hera e parë që Indonezia zhvillonte zgjedhje presidenciale dhe parlamentare në të njëjtën ditë, me gati 192.8 milionë banorë anembanë arkipelagut prej 17 mijë ishujsh, që patën të drejtën të votonin në më shumë se 800 mijë qendra votimi.

Arief Priyo Susanto, zëdhënës i Komisionit të Përgjithshëm të Zgjedhjeve, njohur si KPU, tha se shumica e zyrtarëve zgjedhorë kanë vdekur prej problemeve të shkaktuara nga mbingarkesa e punës.

Shefi i KPU-së, Arief Budiman ka pranuar se punonjësit kishin tejkaluar normat e pranueshme të punës, e tha se kjo gjë u shkaktua pjesërisht për shkak të afatit të shkurtër kohor në dispozicion për të dhënë rezultatet, por sigurisht, edhe për shkak të vendimit për zhvillimin e dy palë zgjedhjeve njëkohësisht.

“Nëse numri i viktimave vijon të rritet, padyshim që ka diçka fundamentale që ka shkuar keq me mënyrën sesi janë implementuar zgjedhjet”, tha një ndihmës i kandidatit presidencial, Prabowo Subianto.

Rezultatet paraprake sugjerojnë se presidenti në detyrë i Indonezisë, Joko (Jokowi) Widodo ka siguruar mandatin e tij të dytë përkundrejt rivalit Prabowo. Rezultati zyrtar i zgjedhjeve pritet të shpallet deri më 22 maj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA