Fiks Fare u vu në dijeni nga pacientë se Spitali Shkodër mbetjet spitalore i mbante brenda rrethimit të tij në kushte të papërshtatshme. Pajisja e përpunimit është e prishur dhe landifilli i Bushatit nuk i pranon më këto mbetje spitalore të papërpunuara. Tashmë, ky spital është kthyer në një pikë grumbullimi mbetjesh spitalore të cilat i prodhon vetë.
Fiks Fare udhëtoi drejt Spitalit Shkodër dhe vuri re se mbetjet spitalore qëndronin në ambient të hapur. Gazetarët gjetën shiringa, shishe serumi, age, tuba me gjak… Në hulumtimin e tyre, gazetarët e Fiksit zbuluan se ky spital për përpunimin e mbetjeve anatomike ka një kontratë me një subjekt që është i licencuar për përpunimin e mbetjeve spitalore. Kurse të gjitha mbetjet e tjera infektive duhet që spitali t’i përpunojë vetë me autoklavë, e cila nuk punon prej më shumë se 8 muajsh.
Kjo ka bërë që landfilli i Bushatit, në të cilin përfundonin mbetjet, të mos i pranojë.
Fiksi i drejtohet pajisjes që aktualisht Spitali i Shkodrës ka që duhet të bëjë përpunimin e mbetjeve infektive. Punonjësi i autoklavës shpjegon se mbetjet dalin të pagrira, por edhe pse është personi që merret me këtë punë, ai nuk di t’u përgjigjet gazetarëve se sa duhet t’i ketë pajisja parametrat normale për të bërë përpunimin e mbetjeve. Ajo që u vu re nga pamjet filmike ishte se mbetjet spitalore siç hynë në pajisje ashtu edhe dalin.
Fiks Fare iu drejtua edhe landfillit të Bushatit për të kuptuar se sa kohë ka pa depozituar në këtë landfill mbetje spitalore Spitali Shkodër. Drejtuesit e landfillit pohojnë se para tetë muajsh kishin vënë re se mbetjet spitalore nuk vinin të përpunuara në formën e duhur. Por, definitive është se para 4 muajsh ata nuk kanë pranuar më mbetje nga spitali, pasi u shkonin të papërpunuara fare.
Gazetarët iu drejtuan edhe Drejtorisë së Spitalit Shkodër për të kuptuar nëse është marrë ndonjë masë dhe se çfarë është menduar të bëhet me këto mbetje spitalore. Drejtori i spitalit, Ardian Dajti shprehet për Fiksin se ka pak ditë që është emëruar në këtë post, por që është në dijeni me problemin që ka spitali me mbetjet spitalore. Ai shpjegon se kanë një kontratë me kompaninë Rozafa që mbledh mbetje urbane dhe i depoziton në landfill dhe hera e fundit që kjo kompani ka marrë mbetjet nga ky spital ka qenë para tre javësh. Por, kjo bie ndesh me atë çka drejtues të landfillit i treguan gazetarëve, që nuk kanë pranuar më mbetje që para 4 muajve. Gazetarët i kërkojnë një dokument për marrjen e mbeturinave urbane nga kompania Rozafa, por drejtori Dajti nuk e ka një dokument të tillë, edhe pse e pohon vetë që duhet ta kishte.
Versionin e drejtorit e hedh poshtë administratori i kompanisë Rozafa, i cili i kontaktuar në telefon nga Fiksi shprehet se ka mbi 3-4 muaj që nuk merr mbetje në spital, pasi ato nuk janë mbetje urbane, por spitalore. Kurse pyetjes së gazetares nëse janë bërë ndonjëherë analiza për rrezikshmërinë që mund të kenë mbetjet që dalin nga autoklava e spitalit, drejtori shprehet shkurt: “Nuk kemi bërë, por do t’i bëjmë”.
Top Channel