Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku dorëzoi pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë kandidaturën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ajo është e katërta kandidaturë që ka dorëzuar CV-në e saj pranë KLP-së për postin e kryeprokurorit të Republikës.
Kandidatët e tjerë që konkurrojnë për kreun e akuzës janë Fatjona Memçaj, e cila është prokurore e Apelit në Tiranë; Olsion Çela, prokuror te Krimet e Rënda, si dhe avokati Lulëzim Alushaj.
Por, zonja Marku duket se ka një avantazh ndaj 3 rivalëve të saj për shkak të agazhimit të saj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, si prokurore e përgjithshme e përkohshme, dhe kalimit të vettingut.
Arta Marku është diplomuar për drejtësi dhe për disa vite me radhë ka qenë pjesë e një sërë trajnimesh për sistemin e drejtësisë në Shtetet e Bashkuara dhe Europë. Pasi ka kryer stazhin për 2 vite në Prokurorinë e Fierit, Marku ka ushtruar funksionin si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Shkodrës për 15 vite.
Gjatë karrierës së saj i janë besuar disa detyra të rëndësishme në sistemin e drejtësisë. Për 7 vite ka qenë drejtuese e Njësisë së Përbashkët Hetimore për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin në Prokurorinë e Rrethit Shkodër, si dhe zëvendësdrejtuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Marku në vetting rezultoi si figurë e pastër. Ajo nuk rezulton të ketë pasur ndonjë kontakt të papërshtatshëm me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Deri më tani, në punën e saj kryeprokurorja ka pasur një mbështetje të fortë ndërkombëtare, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara.
Top Channel