Një muaj para zgjedhjeve europiane, spanjollët votojnë këtë të dielë për Parlamentin e ri. Socialistët kryesojnë, por nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të krijuar qeverinë mbetet e paqartë.

Në debatin e fundit televiziv, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez i socialistëve, Pablo Casado i Partisë konservatore Popullore, Pablo Iglesias i partisë së majtë “Unidas Podemos” dhe liberali Albert Rivera nga “Ciudadanos”, u munduan që të bindnin me mesazhet e tyre.

Në debatet televizive, sidoqoftë, ka munguar shefi i partisë së djathtë populiste “Vox”, Santiago Abascal Conde. Partia e tij, një fraksion nga Partia konservatore Popullore, nuk është e përfaqësuar deri tani në Parlamentin e vendit, por mundet që në këto zgjedhje të arrijë të marrë deri në 11 për qind të votave.

Katalonja ka qenë sidoqoftë tema më e rëndësishme e fushatës, që edhe ka fuqizuar populistët. Kriza e Katalonjës ka çuar në një ndarje të thellë midis kampit të majtë dhe atij të djathtë. Asnjëri nga të dy kampet nuk do të mund të fitojë shumicën absolute, nëse sondazhet janë të sakta.

Analistët thonë se çështja e Katalonjës do të vendosë zgjedhjet dhe jo kriza ekonomike që vazhdon në vend. Spanja përjetoi në vitet 2009-2013 një krizë bankare dhe krizë të pasurive të patundshme. Ekonomia po rritet përsëri, por papunësia me 13.9 për qind është shumë më e lartë sesa mesatarja e BE-së.

Partitë rajonale nga Katalonja mund të jenë vendimtare kur është fjala për krijimin e qeverisë. Socialisti Sanchez rrëzoi me ndihmën e tyre, me një mocion mosbesimi, Rajoyn. Por këtë pranverë, partitë e vogla katalanase nuk ia dhanë Sanchezit miratimin për buxhetin, gjë që ҫoi në zgjedhjet e reja të kësaj të diele.

Ndër skendarët më të mundshëm është ai, sipas të cilit kryeministri socialist Pedro Sanchez do të bashkohej me “Podemos”-in e majtë dhe katalanasit. Kreu i Partisë Popullore, së cilës populistët e djathtë i kanë marrë shumë zgjedhës, është i gatshëm të bëjë koalicion me “Vox” dhe me “Partinë Qytetare” më liberale.

Por, mbetet e paqartë nëse njeri nga këto kampe do të arrijë të marrë shumicën e votave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA