Bosi i drogës, Girolamo Perna vdiq në një pritë mafioze mbrëmjen e 26 prillit në Vieste të Italisë. Perna ishte pranë shtëpisë së tij së bashku me një person tjetër, kur vrasësit e identifikuan dhe e vranë me armë zjarri.
Policia që hetoi krimin mori në pyetje personin që ishte me viktimën. Klani Perna ishte rival me klanin Raduano. 28-vjeçari është një tjetër viktimë në përleshjet për kontrollin e shitjes së drogës në zonën Gargano dhe trafikun e saj me Shqipërinë.
Në tre vitet e fundit, në Vieste janë eliminuar, përveç shefit historik, Angelo Notarangelo, që vdiq në janar 2015 edhe 9 persona të tjerë.
Girolamo Perna i shpëtoi një atentati në shtator të 2016 nga rivali i tij, Marco Raduano. Atë kohë ai u plagos por mbrëmjen e djeshme mbeti viktimë e një atentati të lloji mafioz.
Trafiku i drogës nga Shqipëria është motivi i përplasjes mes dy grupeve mafioze. Biznesi i drogës ballkanike, e ka gjetur rrugën e saj drejt Italisë në sajë të brigjeve të shkëmbore, të vështira për të patrulluar nga policia. Për këtë arsye ky është vendi i përsosur për lumenjtë e marijuanës.
Top Channel