90-vjeçarja Ivoni ishte mësuar të vizitonte shpesh spitalet për të parë të afërm të sëmurë me malarje si edhe të kujdesej për 7 fëmijë. Por, 8 muaj më parë asaj iu dha një sapun që ndihmon të mbrojë atë dhe nipërit e saj nga mushkonjat që transmetojnë sëmundjen.

“Para se të fillonim të përdornim sapunin, mund të përballeshim me malarjen në çdo hap. Por, pasi filluam ta përdornim, rastet ranë dhe ai dëboi malarjen. Ne tani nuk sëmuremi lehtë”, tregon Ivoni.

Joan Nalubega vuante shpesh nga malarja kur ishte fëmijë dhe e ka bërë misionin e jetës së saj luftën ndaj sëmundjes. Ajo është fokusuar tek prodhimi i një solucioni që i mban larg insektet dhe që mund të përdoret lehtësisht në jetën e përditshme. Ajo vendosi të bënte një sapun duke shtuar përbërës që dëbojnë mushkonjat: “Mund ta përdorësh sapunin si sapun normal. Dhe ne këshillojmë të mos përdorësh parfume me aroma të forta në mënyrë që sapuni të jetë më efikas për 5 deri në 6 orë”.

Joana ngriti kompaninë e saj në 2016. Aktualisht ajo ka punësuar 27 persona, por shpreson të punësojë edhe të tjerë, ndërkohë që kërkesa për produktet e saj rritet. Ajo do të ndihmojë edhe familjet e varfëra që shpesh nuk mund t’i përballojnë solucionet e shtrenjta kundër mushkonjave apo rrjetat.

Sapuni mund të jetë një produkt i përditshëm, por Joana po tregon se në duart e duhura mund të ndihmojë edhe në reduktimin e 600 mijë vdekjeve të përvitshme në botë që shkaktohen nga malarja.

Top Channel