Presidenti rus, Vladimir Putin dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong un, u takuan ballë për ballë, për të parën herë, të enjten, duke u angazhuar për lidhje më të ngushta mes tyre ndërkohë që tentojnë të balancojnë ndikimin amerikan.

Takimi në qytetin e largët lindor të Rusisë, Vladivostok, erdhi ndërsa Kim Jong un është angazhuar në një përplasje me Uashingtonin ndërkohë që Putin është i gatshëm ta shtyjë Moskën përpara si një lojtar i rëndësishëm në një pikë tjetër të nxehtë.

Të dy liderët shtrënguan duart dhe buzëqeshën, përpara se të nisnin bisedimet kokë më kokë që zgjatën për rreth dy orë, më gjatë nga sa pritej.

“Për më shumë se një orë ne patëm një shkëmbim shumë të frytshëm opinionesh mbi [ështje të interesit të përbashkët”, u shpreh Kim Jong Un.

Putin tha ndërkohë se bisedimet kishin qenë të detajuara por asnjë prej liderëve nuk tregoi shumë rreth tyre. Takimi ishte i pari për Kim Jong un me një tjetër lider shteti që nga kthimi nga Hanoi, pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump, që u ndërpre pa asnjë marrëveshje në lidhje me arsenalin bërthamor të Koresë së Veriut.

Top Channel