Netanjahu: Lartësive Golan t’i vendosim emrin “Trump”

24/04/2019 10:46

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu do t’i japë Lartësive Golan emrin e Presidentit amerikan, Donald Trump, për ta falenderuar atë që njohu sovranitetin e shtetit hebre mbi territorin e diskutueshëm.

“Jam këtu në Lartësitë e bukura Golan. Të gjithë izraelitët u prekën shumë kur Presidenti Trump mori vendimin historik për të njohur sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë Golan. Ndaj, pas festave, unë do t’i paraqes qeverisë një rezolutë që t’i japim komunitetit të ri në Lartësitë Golan emrin e presidentit Donald Trump”, tha Netanjahu.

Pllaja strategjike, në lindje të Detit të Galileut, u aneksua nga Siria pas luftës 6-ditore në 1967, në një lëvizje që nuk është njohur ndërkombëtarisht. Trump njoftoi në mars se SHBA do ta njihte tani territorin si izraelit, duke argumentuar se rëndësia e tij është strategjike për sigurinë e shtetit të Izraelit dhe stabilitetin rajonal.

Ky vendim erdhi pas atij të dhjetorit 2017 për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit, çka shkaktoi debate ndërkombëtare. Statusi i qytetit është në thelb të konfliktit palestinezo-izraelit. BE-ja ndërkohë e ka dënuar vendimin duke paralajmëruar se ai do të ketë pasoja në perspektivat e paqes. Ai madje ka përsëritur në mars se nuk e njeh sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë e okupuara Golan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA