Lideri koreano-verior, Kim Jong-un ka mbërritur në Rusi mëngjesin e të mërkurës për takimin e tij të paralajmëruar me Presidentin Vladimir Putin, në qytetin port të Vladivostokut.
Media koreano-veriore publikoi foto të Kimit që përshëndeste Rojat e Nderit dhe njerëzit me lule, në stacionin hekurudhor para se të ngjitej në trenin e tij të blinduar, ngjyrë kaki, për udhëtimin e gjatë. Agjencia ruse e lajmeve Tas citonte një zyrtar lokal që thoshte se Kimit i ishin dhënë lule, bukë dhe kripë pasi kishte kaluar kufirin.
Takimi me Putinin do të mbahet të enjten dhe do të fokusohet, sipas Kremlinit, tek programi bërthamor i Koresë së Veriut, me Rusinë që do të tentojë të konsolidojë trendet pozitive që vijnë nga takimet e mëparshme me Presidentin amerikan, Donald Trump.
Udhëtimi i Kimit në Rusi vjen dy muaj pasi takimi i dytë i tij me Donald Trump dështoi për shkak të mosmarrëveshjeve mbi sanksionet amerikane mbi Veriun.
Kimi do të jetë lideri i parë koreano-verior që viziton Rusinë pas babait të tij të ndjerë, që ishte në vend në 2011. Ka nga ata që thonë se Kimi do të përpiqet të forcojë lidhjet e tij me Rusinë dhe Kinën, ndërkohë që po frustrohet gjithnjë e më shumë me SHBA.
Top Channel