Sulmet në Sri Lanka, Kryeministri ishte privuar nga informacionet pas përplasjes me Presidentin

23/04/2019 11:07

Lidershipi i Sri lankës është tani në qendër të kritikave pasi u bë e ditur se autoritetet ishin paralajmëruar për grupin e akuzuar për sulmet e të dielës. Sulmet mbi kisha dhe hotele i morën jetën sipas të dhënave më të fundit 310 personave dhe plagosën rreth 500 të tjerë.

“Agjencitë e sigurisë kishin vëzhguar “National Thowheed Jamath”, një grup lokal xhihadist,- thonë raportet-, dhe kishin njoftuar policinë për sulme të mundshme”.

Por, kryeministri i vendit dhe kabineti nuk ishin informuar. Të martën, vendi është në zi për humbjen e jetëve të pafajshme. “Është e domosdoshme që ne të qëndrojmë të bashkuar përballë një tragjedie të tillë”, tha kryeministri i vendit.

Kryeministri dukej se ishte privuar nga informacionet e sigurisë pas një përplasjeje, vitin e kaluar, me presidentin e vendit. Ky i fundit e kishte shkarkuar kryeministrin dhe kabinetin e tij në tetor dhe ishte përpjekur të zgjidhte një tjetër kryeministër duke  zhytur vendin në krizë kushtetuese.

Por ishte detyruar të rikthente në detyrë Uikremesingen pas presionit të Gjykatës Supreme, duke e privuar atë nga informacionet e sigurisë.  Agjencitë e zbulimit kishin nisur të lëshonin paralajmërime për grupin më 4 prill, pas të cilave ministria e mbrojtjes i kishte nisur një paralajmërim të qartë shefit të policisë dhe më 11 prill edhe një memo.

Në këtë të fundit kishte paralajmërime nga një agjenci inteligjence e huaj për sulmet e mundshme të grupit si edhe emrat e anëtarëve. Mediet amerikane citojnë zyrtarë vendas që thonë se inteligjenca indiane dhe amerikane e kishin paralajmëruar vendin për sulmet në fillim të prillit. Sidoqoftë, tani një komision i posaçëm është emëruar për të hetuar çfarë ka ndodhur dhe në cilën hallkë qëndron përgjegjësia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA