Shpërthimet e Sri Lankës ishin shpagim për sulmin e Christchurchit. “Në këtë përfundim të çojnë rezultatet e hetimeve të para mbi ngjarjen”, deklaroi ministri vendas i Mbrojtjes, Ruwan Wijewardene.
Ai nuk ofroi detaje të tjera në mbështetje të pohimit të tij, ndërsa zyra e kryeministres neozelandeze, Jacinda Ardern, tha se nuk ka parë deri më tani asnjë të dhënë të shërbimeve sekrete, e cila ta mbështesë një pretendim të tillë.
Sulmet në Sri Lanka, Kryeministri ishte privuar nga informacionet pas përplasjes me Presidentin
Plot 40 vetë janë arrestuar për sulmet që shkaktuan 310 të vdekur e me qindra të plagosur. Mes të ndaluarve është edhe personi që supozohet se ka qenë drejtuesi i mikrobusit, me të cilin udhëtuan kamikazët.
Bilanci i vdekjeve u rëndua pasi disa prej të lënduarve rëndë nuk arritën t’iu mbijetonin plagëve të marra. Autoritetet në vendin me shumicë budiste besojnë se, pas masakrës qëndron grupi islamik lokal “National Thowfeek Jamaath”, që thuhet të ketë pasur ndihmën e një rrjeti terrorist ndërkombëtar në organizimin e sulmeve të mirëkoordinuara.
Shteti Islamik deklaroi sot se luftëtarët e tij ishin përgjegjës për gjakderdhjen, pa ofruar megjithatë asnjë provë të përfshirjes së tij. Në mbare vendin, flamujt u ulën në gjysmështizë dhe u mbajtën 3 minuta heshtjeje në fillimin e asaj që u shpall ditë zie kombëtare në nder të viktimave.
Sri Lanka në zi. Mbahen ceremonitë e para mortore
Për të ndihmuar në realizimin e një hetimi sa më të plotë të ngjarjes, INTERPOL-i ka vendosur të dërgojë në Sri Lanka ekspertët e tij.
Top Channel